/ATSH/- Ish-futbollisti legjendar i Luftëtarit, Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar Lefter Millo u përkujtua mbrëmjen e djeshme në një aktivitet të organizuar në qytetin e Gjirokastrës.
Në këtë aktivitet, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili theksoi se ” Millo nuk mund të shuhet edhe pse s’është fizikisht mes nesh. Ka gjithmonë kohë për të nderuar Lefter Millon, futbollistin e jashtëzakonshëm nga radhët e minoritetit grek”. “Si Lefter Millo kemi plot minoritarë të tjerë që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme të jetës. Kjo dëshmon më së miri se minoriteti grek në Shqipëri ka qenë dhe është i integruar, si dhe mbetet vlerë e shtuar për shoqërinë tonë”, – u shpreh Golemi.
Kreu i bashkisë së Gjirokastrës tha se “klubi i Luftëtarit ku nisi karrierën Lefter Millo, ka nevojë sot për modele si Lefter Millo. Ka nevojë për shpirtin e tij të garës, dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar”. “Lefter Millon do ta kujtojmë ndër vite me respekt dhe mirënjohje. Jam i bindur që minoriteti do t’i japë sportit shqiptar të tjerë talente dhe legjenda si Lefter Millo”, – përfundoi Golemi.
Lefter Millo lindi më 2 gusht 1966, në Derviçan , Gjirokastër. Ai ka luajtur mesfushor në ekipet e Luftëtarit (Gjirokastër) 1980-1984, Partizanit (Tiranë) 1986-1990, Larisa (Greqi) 1991-1996, Iraklis (Greqi) 1996-1997, ndërsa me Kombëtaren nga 1988-1966 20 ndeshje të luajtura. Ai vdiq (aksidentalisht) më 8 mars 1997 në moshën 30 vjeçare. Millo ishte një prej emrave legjendë të futbollit shqiptar./k.s/j.p/

