Marrëdhënia SHBA- Korea e Veriut vazhdon të jetë e tensionuar. Ditën e sotme, Kim Yo Jong, zyrtare e lartë e partisë në pushtet dhe motër e liderit të Koresë Veriore, Kim Jong-un, u tall me shpresat e Shteteve të Bashkuara. Kjo vjen pasi SHBA dhe Koreja Jugore u pajtuan që ta shqyrtojnë shuarjen e një grupi punues për koordinimin e politikave ndaj vendit komunist.
Motra e liderit kontrovers lëshoi një deklaratë në mediet shtetërore të martën, gjatë vizitës në Seul të përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Korenë Veriore, Sung Kim.
“Duket sikur ShBA-ja mund të interpretojë një situatë në atë mënyrë që të kërkojë rehati për veten. Pritjet, të cilat ata i ushqyen në mënyrë të gabuar, do t’i hidhnin ata në një zhgënjim më të madh”, thuhet në deklaratën e zyrtares së lartë të Koresë Veriore. Të hënën, Sung Kim tha se është i gatshëm të takohet me zyrtarët e Koresë Veriore kudo, në çfarëdo kohe dhe pa kushte dhe se pret përgjigje pozitive së shpejti.
