Personi që është në këtë foto është shtetasi Theodhori Mërkuri, 60-vjeçari i cili plagosi me thikë efektivin e policisë, Redin Çushaj.
Ky i fundit, ndonëse jashtë shërbimit zyrtar, ndërhyri për të ndaluar përshkallëzimin e një konflikti mes Mërkurit dhe një tjetër personi.
Çaushaj, 25-vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, po kalonte në vendin e njohur si kthesa e Pilurit në Himarë, kur ka parë se dy persona po konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Ai ka ndërhyrë për të neutralizuar sherrin, por është qëlluar me thikë nga 60-vjeçari.
Pas ngjarjes së rëndë, autori është arratisur në fshatin Pilur, ku ishte fshehur në një repart të vjetër ushtarak.
Forca policore nisën kërkimet intensive dhe mundën ta lokalizonin pas 8-orësh ndjekje.
Mërkuri u arrestua mëngjesin e kësaj të mërkure dhe u transportua në komisariat, ku i duhet të përballet me veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.