Politike

Deklaratë e Partisë Demokratike Vlorë

Të nderuar qytetarë të Vlorës, Radhimës dhe Orikumit! Partia Demokratike ka ndjekur dhe po ndjek me shqetësim të madh situatën antiligjore, frikën dhe terrorin, që prej më shumë se dy vitesh po shqetëson banorët e zones së Radhimës dhe Orikumit. Pasuria e më shumë se 300 familjeve, rrezikon të prishet e më pas të grabitet për llogari dhe interesa të një grupi të vogël njerëzish, të lidhur me pushtetin e sektit të “Rilindjes” që në emër të “zhvillimit” të zonës, ka nxjerrë në shitje Shqipërinë, e në rastin konkret, bregdetin e Radhimës e Orikumit.

Jemi sot këtu për të denoncuar shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në gjykimin tonë, përcaktimi ligjor që ka shërbyer si shkak për të përjashtuar dhe më pas për të prishur këto objekte duke iu referuar Planit të Përgjithshëm Vendor, është anti kushtetues, për faktin se këto ndërtime janë bërë para miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtij plani. Baza ligjore referuese bie në kundërshtim me përcaktimet ligjore si dhe me parimet kushtetuese për faktin se Plani i Përgjithshëm Vendor nuk mund të ketë fuqi prapavepruse.

Në respektim të Kushtetutës dhe të parimeve të sanksionuara në të, banorët e zones Radhimë-Orikum, janë në të drejtën e tyre ligjore për të legalizuar objektet. Në respektim të Kushtetutës, pasuritë e tyre, të përfituara në mënyrat e parashikuara në ligj, nuk mund të cënohen. Parti Demokratike, disponon një sërë shkresash të institucioneve shtetërore, ku konstatohet se e gjithë veprimtaria administrative e ushtruar nga ASHK Vlorë dhe IKMT Tiranë është kryer në shkelje të ligjit.

Në shërbim të shkeljes së ligjit dhe të projektit të hartuar në fshehtësi të plotë, është vendosur edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, i cili me këmbënguljen e tij dhe për interesa të atyre që e rrethojnë, kërkon të zbatojë këtë projekt, i cili cënon rëndë dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pasuritë e banorëve të zonës. Bashkia Vlorë nuk ka zbatuar asnjë nga parashikimet ligjore lidhur me fazat nëpër të cilat do duhet të kalonte projekti, gjatë hartimit, miratimit dhe zbatimit të tij. Parti Demokratike nuk është kundër projekteve, por ndërtimi i tyre duhet të ketë si qëllim dhe interes parësor atë të mirëqënies që duhet të sjell për banorët çdo projekt.

Me keqardhje kemi kostatuar se ky projekt dhe veprimet e deri tanishme të organeve shtetërore vendore e qëndrore rrezikojnë të sjellin pasoja serioze për banorët e kësaj zone, pasi prishja e objekteve, marrja dhe shkatërrimi i pasurive të tyre do të sjell një dëm afatgjatë dhe të pa rekuperueshëm financiar. Veprimi antiligjor dhe arrogancae veshur me pushtet, do ta rëndonte dhe më tej situatën ekonomike, për faktin se këta banorë prej 25 vjetësh janë të lidhur vetëm me sektorin e turizmit dhe pronën e tyre e kanë vendosur në funksion të tij.

Ne sigurojmë banorët se do t’ju jemi në krahë për të mbrojtur të drejtat e tyre. E vetmja rrugë dhe zgjidhje për banorët e zonës Radhimë-Orikumit është rishikimi i projektit nëpërmjet një kunsultimi publik të hapur dhe transparent me banorët e zonën për të bërë të mundur respektimin e të gjitha etapave të nevojshme e të detyrueshme, gjatë hartimit, tenderimit dhe zbatimit të një projekti.

Për të gjitha këto, ne jemi sot këtu, për të deklaruar se Bashkia e Vlorës në bashkëpunim me ASHK Vlorë dhe IKMT Tiranë, kanë konsumuar element të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë, të nis sa më shpejt një hetim mbi rastin për të dërguar përpara drejtësisë të gjithë personat, që me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë shkelur ligjin, duke krijuar një situatë të paprecedentë në zonën e Radhimë – Orikumit. Ju Falemnderit!

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close