Categories Politike

Procesi ndaj Trump/ Dëshmon në Kongres ambasadori amerikan në BE

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojë sot dëshminë publike të Ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, një ndër personat kryesorë të përfshirë në përpjekjen, për të cilën akuzohet Presidenti Trump, për t’i ushtruar presion Ukrainës me qëllim përfitimin e të dhënave inkriminuese për rivalët e tij politikë.

Në këtë proces hetimor të udhëhequr nga demokratët, zoti Sondland do të jetë dëshmitari i parë publik që ka patur një linjë direkte komunikimi me Presidentin.

Nga dëshmitë e personave të tjerë mësohet se zoti Sondland foli me Presidentin Trump disa herë gjatë periudhës korrik-shtator në lidhje me telefonatën e 25 korrikut me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkoi Presidentit Zelenskiy të hetonte Biden-at.

Zoti Sondland pritet të përballet me pyetje të vështira nga ligjvënësit, pasi ai korrigjoi deponimin e tij fillestar gjatë seancës me dyer të mbyllura. Tashmë ai pranon se pati një lidhje mes pezullimit të asistencës për Ukrainën dhe hetimeve që dëshironte Presidenti Trump.

Në muajin tetor, ai pati dëshmuar se nuk kishte dijeni për parakushte të vendosura ndaj asistencës. Por, më 4 nëntor, ai u dërgoi ligjvënësve një pasthënie ku shprehet se deklaratat e dëshmitarëve të tjerë kanë kthjelluar kujtesën e tij për disa biseda të zhvilluara në fillim të shtatorit.

Në dëshminë e tij të korrigjuar, zoti Sondland shprehet se tashmë i kujtohet t’i ketë thënë një ndihmësi të Presidentit ukrainas se nuk ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të japin asistencën e shumëpritur ushtarake, derisa Ukraina të bjerë dakort të hetojë kompaninë “Burisma”.

Hetimet janë të përqëndruara tek pyetja nëse Presidenti Trump abuzoi me pushtetin kur e kushtëzoi asistencën e sigurisë për Ukrainën me rënien dakort nga Kievi për të hetuar kompaninë energjitike “Burisma”, dhe lidhjet e saj me djalin e ish-Nënpresidentit dhe rivalit politik Joe Biden.

Pas dëshmisë së zotit Sondland, pasditen e të mërkurës japin dëshminë e tyre publike edhe Zv.Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe NënSekretari i Shtetit David Hale.

Gordon Sondland
Si ambasador i Presidentit Trump në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, komunikonte shpesh me Presidentin Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës për politikat e Ukrainës. Më 26 korrik, ditën pas bisedës telefonike mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Zelenskiy, zoti Sondland dhe Presidenti Trump patën një bisedë të tyren me telefon, gjatë së cilës Presidenti Trump u dëgjua të ketë pyetur nëse Ukraina do “ta bënte hetimin” që ai kishte kërkuar. Një manjat i biznesit të hotelerisë, zoti Sondland dhuroi 1 milion dollarë për komitetin e inaugurimit të Presidentit Trump në vitin 2017. Në mars 2018, Presidenti Trump e caktoi atë ambasador në Bashkimin Evropian. Ai u konfirmua nga Senati në muajin korrik.

Laura Cooper
Laura Cooper është zyrtare e karrierës në Pentagon dhe mbulon sektorin e politikave për Rusinë, Ukrainën dhe vendet e tjera të atij rajoni. Ajo filloi punë në Departamentin e Mbrojtjes në vitin 2001. Ajo pati disa funksione përpara se të emërohej Zv. Sekretare e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë. Ajo u takua në këtë kapacitet me zotin Volker në fund të muajit gusht për të diskutuar rreth asistencës së ngrirë për Ukrainën. Ajo u informua nga zoti Volker se asistenca mund të jepej nëse Ukraina do të publikonte një deklaratë ku do të dënonte ndërhyrjen në zgjedhje dhe ku të zotohej se do të hetonte çdo person të përfshirë në këtë ndërhyrje. Zonja Cooper u tha hetuesve në Kongres se ajo dhe të tjerë zyrtarë patën shprehur shqetësimin për ligjshmërinë e pezullimit të fondeve të autorizuara nga Kongresi për Ukrainën.

David Hale
Si Nënsekretar Shteti për Çështjet Politike, David Hale, është zyrtari i tretë më i lartë i Departamentit të Shtetit, një pozicion që Presidenti Trump ia dha në vitin 2018. I diplomuar në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown, zoti Hale u bë anëtar i Shërbimit të Jashtëm në vitin 1984 dhe tashmë mban gradën diplomatike ambasador. Në fillim të muajit mars, ai udhëtoi drejt Ukrainës, ku i kërkoi ambasadores të atëhershme amerikane Marie Yovanovich, të zgjaste mandatin e saj me një vit dhe të qëndronte në atë vend gjatë gjithë 2020-tës. Më vonë, Rudy Giuliani, si personi kryesor për Ukrainën i caktuar nga Presidenti Trump, filloi një fushatë njollosjeje për të larguar ambasadoren Yovanovich, si dhe udhëzoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit George Kent që “të ulte kokën”. Zoti Hale dëshmoi më herët këtë muaj, me dyer të mbyllura, për menaxhimin nga Departamenti i Shtetit të tërheqjes nga Ukraina të ambasadores. /VOA/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme Politike

Asambleja e Shpresës: Kur “Sfidat” zgjidhen me dolli, ndërsa domatja bëhet “Luks”

VLORË – Ndërsa te tregu i fruta-perimeve qytetarët numërojnë qindarkat për të blerë dy banane,…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

“Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”/ Cilësohej si kontakt i Epstein, KiE i heq imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm

Këshilli i Evropës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Protesta e PD, Rama nxjerr foton e molotovëve: Bomba artizanale, drejtësia të veprojë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e mbajtur një natë më parë nga…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Partia Demokratike Vlorë thirrje qytetarëve për protestën e 10 shkurtit

Partia Demokratike e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Pse Rama nuk e pranoi dorëheqjen e Ballukut

Belinda Balluku sot në mëngjes i ka ofruar dorëheqjen Kryeministrit. Edi Rama nuk ka dashur…

LEXO ME SHUME