Qeveria shqiptare ka rikthyer moratorimin e gjuetisë edhe për 5 vitet e ardhshme.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së qeverisë.
“Publiku dhe media janë të njohur me faktin që ka pasur dy ligje më parë për vitin 2014 dhe 2016 dhe një tjetër ligj për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në vitin 2016-2021 të cilit i mbaroi afati vitin e kaluar. Duke konstatuar të gjithë efektet pozitive të këtyre dy masave të marra në mandatin e parë e të dytë në lidhje me faunën e egër sidomos për shpendët e egër.
Në censusin e zhvilluar që nga viti 2016, në çdo janar deri tani është konstatuar se përveç se një rritje e ndjeshme e llojit të shpendëve të egër dhe faunës së egër, por edhe një ndërgjegjësim i popullatës falë një komunikimi të shtuar nga ambientalistët dhe shoqata e ndryshme të faunës dhe mjedisit”.
Kumbaro nënvizoi se në vitin 2016 në censusin e zhvilluar janë konstatuar rreth 60 mijë lloj shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptar, ndërsa në vitin 2021 janë rreth 140 mijë individë të tilla.
“Nga ana tjetër ka edhe një efekt të rëndësishëm shpallja e këtij moratoriumi, kufizon ndjeshëm shpërndarjen ose kërkesën për tu pajisur me leje armësh gjahu. Në dy vitet e para janë sekuestruar falë këtij moratoriumi mbi 800 armë gjahu në vitin 2015-2016.
Kemi një ndalesë totale të aktivitetit gjuetar edhe nga gjuetarë të huaj, të cilët në kohën që nuk ka qenë ku moratorium vinin në mënyrë të shpeshtë për të gjuajtur, por përdorin dhe mjete të paligjshme për gjueti”, tha ajo.
