Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Turqi, ku do të ketë një vizitë dyditore, dhe nga ku pritet të japë dhe një konferencë për mediat së bashku me presidentin turk Erdogan. Rama shkruan se në këtë vizitë dyditore me ftesë të presidentit turk, pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të rëndësishme mes dy vendeve.
”Ankara – Në vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Erdogan, për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy qeverive dhe nënshkruar një sërë marrëveshjesh me rëndësi në kuadrin e partneritetit tonë strategjik”, shkruan Rama teksa ndan videon nga pritja në aeroport.
Në një deklaratë presidenca turke, drejtoria tha se marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Shqipërisë si dhe hapat për të përmirësuar bashkëpunimin do të diskutohen gjatë bisedimeve në 6-7 janar. Gjatë takimeve, do të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe lidhjet dypalëshe, thuhet në deklaratë.
Muajin e kaluar, Rama vlerësoi performancën e Turqisë në luftën e saj kundër pandemisë së koronavirusit. Ndërkohë situata në rajon është e ndezur mes Turqisë dhe Greqisë pasi kjo e fundit vendosi të shpallë shtrirjen me 12 milje detare.
Kryeministri Rama menjëherë pas kësaj lëvizjeje deklaroi se shteti fqinj është në të drejtën e saj për tu shtrirë në ujëra detarë, ndërsa deklaroi se çështja e ndarjes së territoreve mes dy shteteve do të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare. Mediat greke i bënë jehonë deklaratës së kryeministrit shqiptar, duke aluduar se lëvizja e Greqisë ishte sinjal dhe për Turqinë e cila prej muajsh provokonte shtetin helen me kërkime për gaz natyror në territorin e diskutueshëm mes 2 vendeve.
Prej shumë muajsh dy shtetet janë në konflikt të hapur, konflikt i cili për pak precipitoi në përplasje të armatosur për shkak të pretendimeve të dy palëve për shfrytëzimin e ujërave detarë në Egje.
Nga ana tjetër kryeministri shqiptar dhe presidenti turk do të diskutojnë dhe për çështjet dy palëshe, veçanërisht ndihmën që Turqia do të japë në ndërtimin e mbi 500 banesave në qytetin e Laçit pas termetit te 26 nëntorit të vitit 2019.
