Categories Lifestyle

‘Saga e dhimbjes’/ Rrëfimet e një gruaje të hekurt

“E kaluara është mësues i së tashmes dhe udhëzues i së ardhmes”, thotë Fatbardha Saraçi (Mulleti) në krye të kësaj interviste, si për të na përgatitur për vijimin e një rrëfimi të gjatë mbi historinë e saj personale dhe frymëzimin apo shtysat që e nxitën të hulumtojë historitë e dhimbjes gjatë përiudhës së komunizmit në Shqipëri.

Si lindi libri “Saga e dhimbjes” botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në vitin 2018, a mund të na e përmblidhni në pak rreshta?

Çdo gjë, një takim, ecja në rrugë apo në jetë, një epokë, një libër… e ka një fillim.Do të tregoj diçka personale, por jo vetëm për mua, por për më shumë, për njerëzit dhe kohën. Janë përjetimet e mia, të vërteta, përvojë që i ngjanë hapjes së një testamenti nga vitet e kaluara, si një zbatim i ri, në mos një denoncim, për qëndresë e shpresë. Subjekti i librit është kujtesa, kthehet në kujtesë.Është brengosëse vdekja në kujtesë. Prova e vërtetë e njeriut është kujtesa e tij, qëështë pasuria më e çmuar në jetë. Subjekti i librit shëndrrohet në kujtesë, për lexuesin. Shpallja ose marrëdhëniet me të vërtetën si autore, si personazh përshkon të gjithë librin. Në shkrim jam vetevetja. Fjala është për histori reale, zbulon thelbin e saj të padukshëm, e bën këtë histori të jetueshme nga njerëz. Në marrëdhënie me njeri-tjetrin kanë cilësi të përbashkëta: dashurinë e pashterrshme për jetën. Është një dashuri që kërkon një fuqi të madhe shpirtërore për t’u afirmuar. Personazhet synojnë vetëm të ruajnë sjelljen e tyre njerëzore brenda dramës, një sjellje që u mundëson t’i marrin sa më shumë jetës që u është dhënë. Libri përmban kujtesën e jetës sime që nga shtatori i viti 1944 kur ende s’isha bërë pesë vjeçe. Në atë periudhë jetoja me familjen në Tiranë, që ishim etnikë në atë qytet. Vazhdoj me përjetimin e dëbimit nga Tirana, shkollimi, vazhdimi i gjimnazit në qytetin e Shkodrës, periudha e rinisë që tregoj sa e vështirë ishte të siguroja një punë.Periudha më e rëndësishme është kur u pranova të punoja në Rrethin e Lezhës, si arsimtare, që në atë periudhë kishin nevojë për mësues.E rëndësishme për mua ishte të arrija të studjoja në Institut dhe Universitetin e Tiranës, që e realizova në mënyrë autodidakte. Tregoj jetën e një vajze nga shtresa “e deklasuar”, “armik”, “pronare” dhe shumë epitete të tjera fyese. Tregoj se si më ndoqi lufta e klasës, gjatë gjithë jetës sime dmth provova racizmin komunist shqiptar, që e kishte ndarë shoqërinë shqiptare në dy kasta: “të mirët, të mrekullueshmit ishin pushtetarët dhe ajo pjesë e shoqërisë që i duartrokiste, që i ndiqte dhe zbatonte luftën klasore dhe ishin vetëm ata që kishin bërë çdo gjë të mirë, ndërsa shtresa tjetër ishim ne, fëmijët e prindërve që u cilësuan reaksionarë, tradhëtarë, kolaboracionistë, pronarë…, ne s’ishim të barabartë me të tjerët, ne na ndiqte kudo biografia e keqe. Në zyrat partiake të bënin jetëshkrimin.Nuk ishte nevoja të lexohej e gjithë autobiografia, mjaft të gjenin çfarë lidhëzash përdorte autobiografishkruesi si dhe gjithçka bëhej e kuptueshme. Kur përdorej lidhëza bashkërenditëse shtesa ishte “yni” dmth ishte i kastës së kuqe, kur përdorte lidhëza kundërshtuese ishte kundërshtar i regjimit totalitar dmth nuk ishte i barabartë me të tjerët. Për të ilustruar këtë genocid shqiptar nga brezi në brez, nëpërmjet kujtesës historike, unë përdora artin e të shkruarit, për të mos lënë që historia të harrohet. Për mua e rëndësishme ka qenë gjurma historike e të shkuarës. Librat ruajnë kujtesën e fateve individuale, ruajnë të shkuarën, kujtimin e jetëve njerëzore, gëzimet, tragjeditë dhe fatkeqësitë të shkaktuara nga regjimet totalitare dhe politika, nga lakmia, urrejtja, mizoria dhe budallalleku i njeriut. Dhunimi i të drejtave të njeriut. Në vendin tonë dmth në diktaturën komuniste regjimi u bë kriminal, se mbrojtën me vendosmëri ideologjinë marksiste-leniniste-staliniste dhe vrisnin shumë njerëz për t’ia arritur qëllimit vranë inteligjencën shqiptare, burgosën e internuan dhe nuk arritën të bënin jetën tonë më të bukur dmth ishin vetëm vrasës… Një nga shenjat e një shoqërie të forte është zelli me të cilën kalon kultura nga një brez në tjetrin. Të shkruash për të kaluarën ka rëndësi për kujtesën, dhe kujtesaështë çështje kulture… Kur kujtojmë të kaluarën besojmë se na shërben për të kujtuar çka ndodhur në histori. Qëllimi thelbësor ishte që nga e kaluara të nxjerrim mësime, të cilat garantojnë të ardhmen. Njerëzit pa trashëgimi janë lehtësisht të bindur. Të ecësh në jetë, është si një lumë i madh që ka ndjekur rrjedhën e vet, që mbi gjithçka i ka shërbyer moralit, për të rrëfyer histori jete pa bujë, pa përulje. Rrëfime për ngjarje e vende diku rreth nesh, por të ndarë nga pjesa tjetër e vendit, por në të njejtën gjuhë, me gjuhën hyjnore shqipe. Kur flasim për krimet e diktaturës, për humbjen e lirisë, nuk bëjmë thjesht një apologji por i kujtojmë se sa kollaj mund të humbasësh lirinë, sa kollaj është ngritja e një diktature dhe sa fort duhet të punojmë që kjo të mos ndodhë.

Pse “Saga e dhimbjes”?!

Sagë do të thotë të rrëfesh një histori të gjatë, në këtë rast i jetës në vazhdimësi, në formë narrative, ku rrëfehen ngjarje që më kanë ndodhur mua gjatë shtegëtimeve të mia në jetë apo tregime nga njerëzit më të cilët jetova apo takova gjatë viteve të jetës sime. Janë një sëri eventesh që përshkojnë një periudhë të gjatë, që e tejkalon pesëdhjetë vjeçarin. Libri “Saga e dhimbjes” është simbiozë e kujtesës dhe përjetimit. Përjetimi vetjak është më real se realja, sepse është e vërteta e të jetuarit sa nëpërmasa fizike po aq dhe në atë shpirtëroren, duke mos pasur nevojë për trillime.

Si ishte për ju t’i riktheheni së kaluarës, të gjenit kalendarin e viti 1957 dhe ditarin e viteve 1958-1959 ?

T’i rikthehesh të kaluarës dmth të tregosh, të rrëfesh ngjarjet që ndodhën gjatë ecjesh në jetë, me një fjalë të tregosh përjetimet e tua. Është kujtesa autobiografike që e risjell në vemendjen e lexuesit dhe tregon rrënjët e dramës në botën shqiptare të diktaturës, zgjatim i saj stalinist dmth jeta në totalitarizëm. Përjetimet e mia kanë jetuar me mua gjatë gjithë ekzistencës sime. Pasi botova librat “Dhimbje” I-II-III që u ribotuan nga ISKK nën titullin “Kalvari i grave në burgjet komuniste”, ku tregohej kalvari i femrës së përsekutuar në Shqipërinë që quhej R.P.S e Shqipërisë dhe që drejtohej nga Partia e Punës, udhëheqësi E.Hoxha dhe të gjithë udhëheqësit e tij që e shoqëronin, me përhapjen dhe zbatimin e ideologjisë Marksiste-Leniniste-Staliniste-Enveriste dhe më vonëdhe atë Maoiste, e pashë tëarsyeshme të tregoja përipecitë e jetës së një vajze nga mosha pesë vjeçare e në vazhdim, dmth një letersi biografike, si përballja dhe zgjidhja e problemeve të personazhet dhe në nivel kolektiv. Rastësia solli që të gjeja kalendarin e viti 1957 që ishte viti i marrjes së maturës, deri në qershor dhe pastaj largimi nga Shkodra për në Kavajë (ku më jetonte familja, pasi ishim dëbuar nga Tirana)…Po kështu brenda në dispensë të lëndës së biologjisë, që e kisha përdorur gjatë studimeve të larta, gjeta ditarin e parë të mbajtur nëvitin e parë të punës sime në arsim (viti 1958-59). Ky ditar u gjet pas pesëdhjetë vitesh. Kështu që vendosa që t’i tregoj lexuesit dhe vetëm lexuesit (dmth atyre që dëshirojnë t’i lexojnë), jo vetëm për t’i tronditur, por për t’i ndihmuar në jetën personale, për t’i dhënë një model për këtë. Është madhështia e të shkruarit, por edhe thellësia e hapjes së vetes dhe e përballjes me botën…Një jetë qëështë vertetë interesante. Njeriu është kujtesë. Dhe sa më shumë kalon koha, në kuptimin e moshimit, aq më shumë njeriu është kujtesë. Sepse shumë të shkuar kam pas, e aq më pak të ardhme përpara.

A patët vështirësi në rrugëtimin për tuarsimuar ?

Jeta nuk është fushë me lule. Rrugëtimi në arsim kishte vështirësi se emrimi ishte në fshatra larg rrugës automobilistike, duhej të zgjohesha pa zbardhur drita dmth në orën katër ose pesë të mëngjesit, të siguroja makinë të rastit, të ndaloja në rrugë dhe pastaj dotë ecja me orë për të shkuar në fshat.  Gjatë ecjes më takonte të kaloja lumin Drin dhe Gjadër, që sipas rastit do të kaloheshin më këmbë, ose me ura të improvizuar me dërrasa, që shpesh uji i merrte me vete. Do të ecja në të ftohtin e dimrit, në ngricë, të shoqëronte era e fortë që vinte nga gryka e Vaut të Dejës dmth era në Rrethin e Lezhës ishte e veçantë. Shpesh rruga shoqërohej me shiun qëbinte (siç i thotë Shkodra me rrëshekë), që të lagte deri në palcë, të ecje nëpër dëborë, të kaloje lumin Drin nëpër dy dërrasa, sikur po ecje në tra ekulibri, kur mbi te kishte dhe dëborë…Të ecje në muajin janar në Zadrimën e përmbytur nga uji, të kaloje Drinin duke u futur në kanalin vaditës prej betoni… Do provoje ecjen nëpër diell që të percëllonte si një saç… Rrugëtimi për në punë kishte vështirësi të ndryshme, se duhej të ngarkoheshe me trasta që merrje bukën, ushqimet, ndërresat kuptohet edhe librat… udhëtimin e bëja një herë në javë ose një herë në muej, sipas mundësive. Por me gjithë vështirësitë në ecje të shoqëronte një gëzim i brëndshëm që po shkoje në punë, tek nxënësit që të pritnin me aq dashuri, që vraponin në drejtim tënd, të zgjatnin duart dhe të pushtonte hareja e tyre, hareja që të gëzon shpirtin e zemrën. Të mbushet zemra me gëzim kur ecën drejt fluturave të jetës. Vështirësitë përballohen dhe qëllimi që i ke vendosur vetës të ndihmosh në shkollimin e tyre, t’i bësh qytetar që t’a duan dijen. Arsimi është profesion i lartëse motivi kryesor është formimi i Njeriut… Punën si mësuese e bëra mision të jetës sime.

Çfarë do të thoshte për ju të punonit një vajzë e re me tetë djem?

Ju brezi i ri duhet të kuptoni që në shtetin shqiptar që udhëhiqej nga Partia e Punës, çdo gjë drejtohej nga shteti. Ai të caktonte ku do të jetoje, në qytetin tënd të lindjes apo e dëbuar, ai të niste nëpër kampet e punës së detyruar siç ishte psh Kampi çfarosës i Tepelenës, ai të burgoste, të dënonte, të shfrytëzonte me punë skllavëruese, që të burgosurit politikë punonin në miniera si në Spaç e Qafë-Bari, si me qënë në periudhën e skllavërisë. Çdo gjë ishte në dorë të shtetarëve, ata të caktonin çfarë shkolle do të vazhdoje, të dërgonin në degët që ata dëshironin, po ata të caktonin dhe punën. Prandaj për të gjetur punë duhej t’i drejtohej vetëm institucioneve shtetërore. Për mua ndodhi një mrekulli që Rrethi i Lezhës kishte nevojë për mësues dhe më pranuan. Isha nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe isha kryefamiljare pasi babai im nderroi jetë në shtator 1958. Më caktuan në Kallmet me tetë kolegë, djem shkodranë. Unë punova me ato mësues të mrekullueshëm që më trajtuan si një motër. Këtu filloi rrugëtimi im në jetë me këta kolegë. E vërtetëështë që e kisha të vështirë për kohën që kam jetuar unë, mentaliteti se isha vajzë e vetme me tetë djem, por çdo gjë kalon. Me punë e tregon veten njeriu dhe është nder të afirmohesh në jetë duke punuar me kolegë seriozë, të talentuar, të sjellshëm, të rregullt dhe shumë të edukuar. Të jetosh me miq që mund të mbështetesh. Përherë i kam respektuar dhe nderuar kolegët e mi të mrekullueshëm. Përherë në udhëtim me shoqëronin dy kolegë, që gjenin makinën… isha një motër e lumtur me tetë vëllezër. Këtë mrekulli më dhuroi viti i parë i punës në arsim. (Po të keshë parasysh që shefi i arsimit kur më dha emërimin mëtha:- Ti e din kush je (dmth që isha me biografi të keqe), të kemi emëruar mësuese provizore, për gjashtë muaj, në fshatin Kallmet dhe atje je me tetë djem. Do të shohim si do të sillesh!

A patët ndonjë moment hezitimi teksa shkruanit përjetimet tuaja? Sa ka ndikuar e kaluara në formimin tuaj?!

Pasi punova librat Dhimbje I-II-III ku përshkruaj vuajtjet e grave të shtresës së përndjekur politike, ku pena u shoqërua me pikën e lotit të dhimbjes së njeriut të persekutuar, të varfër, të ndershëm, atëherë e pashë të arsyeshme të tregoja përjetimet e mia që nga mosha e fëmijërisë e në vazhdim. Janë punë me shkrime, rrefime, nga ato të shpirtit, që çmohen nga njerëz që janë të pastër

Është jeta e një vajze e shtresës së cilësuar “armiq”… Kush e lexon mëson se si jetohej në Shqipërinë socialiste, që zbatohej lufta e klasës. Njeriu gjatë jetës studion e punon dmth punon për formimin e tij. Dijet asnjëherë nuk janë të tepërta. Kam punuar e studiuar shumë, në veçanti me librin, që funksion të parë ka informimin, të përmbush kuriozitetin, sjell në mendje të shkuarën, adoloshencën, rininë, mbase projekton të ardhemen. Me lexim përfitoja dije, përfeksionova stilin e të folurit, që në veçanti për mësuesit është mjeti kryesor për të komunikuar me nxënësit dhe për t’i bërë ata të të ndjekin me vemendje, duke i dhënë zërit intonacionin e duhur. Aftësitë e mira shprehëse gjithmonë ndërtoheshin prej leximit dhe ndihmojnë në aftësitë shkruese. Duke lexuar informacioni është më i rrenjosur në memorie dhe më i përdorshëm. Kështu kalitet durimi dhe forcohet përqendrimi. Është dije e pafundme dhe në të gjenë lirinë, të jep liri. Mësova të punoj me përgjegjësi, duke respektuar njerëzit e çdo shtrese, ky është mësimi i jetës. Të punosh është përgjegjësi.

Çfarë është lufta e klasës për ju?

Ishim cilësuar shtresë e deklasuar dmth armiq të popullit, është një nga shtyllat e të menduarit totalitar. Përdorimi i termit ishte për të frikësuar, izoluar dhe përdorur mjete represive kundër atyre që mendojnë ndryshe. Të tremben njerëzit, t’i bësh të kenë frikë. Na kishin cilësuar shtresë e deklasuar dhe ne fëmijët ishim fëmijë: “reaksionarësh, kulakësh, borgjezë, shfrytëzues, pronarë” dhe epitetet shtoheshin kur devijonin edhe njerëzit e kastës së kuqe, e vazhonte dhe me fëmijë revizionistësh, një pafundësi epitetesh dhe fëmijët u rritën e u plakën me këto etiketime, të tillë mbeten deri në vdekje. Dëgjonin fjalimet e “Njeshit”, “Unit” të kastës së kuqe që u mbushte mendjen pasuesve të tij, që fëmijëve të reaksionarëve nuk duhej t’u afroheshe, t’u flisje e jo më t’i doje. Një pjesë e mirë e popullatës u mësua të pranonte gjërat që s’ishin të vetat, t’i fusnin nëpër shtëpiat e atyre që shteti i dëbonte, që i nxirrte jashtë nënat me fëmijët e saj. Lufta e klasës shoqërohej me kamionë që merrnin familje të tëra, i ngarkonin pa pikën e mëshirës dhe i degdisnin aty ku të vuanin më shumë. Lufta e klasës ishte një akt i ndyrënga njerëz shpirtvegjël. Ajo luftë klase ishte njëakt që vazhdonte në çdo minutë e orë, natë e ditë, muej e vite të pafund, se bëhej mbi njerëz të paarmatosur, përmbi fëmijë të pambrojtur, në foshnja të sapolindura, qenie të brishta e të pafuqishme. Shtresa e kuqe e të privilegjuarve mburrej kapërdisej, arroganca i shoqëronte në çdo hap të jetës, fjalori i tyre ishte i mbushur me sharje, fyerje, dinin vetëm të të tallnin, të të përçmonin. Arti i shërbente gënjeshtrës, vijës së Partisë. Jo vetëm arti… Ata dhe familjet e tyre kishin të drejtën e çdo gjëje, të përvetësonin pronat e të tjerëve që ishin cilësuar armiq. Fëmijët e tyre studionin në Universitete në degët që dëshironin në veçanti juridik e filozofi. Nuk kishte drejtësi dhe as mbrojtës të të drejtave të njeriut që nepërkembëshin. Kudo drejtonin njerëzit e partisë. Në këshillat e Lagjeve bëheshin relacionet, caktonin shtresën e prejardhjen e njeriut, qëndisnin biografitë, këtu damkosej me vulën e klasës së deklasuar, këtu merrej goditja e parë dhe kështu vazhdonte në hallkat më të larta. Këtu përcaktohej biografia që fillonte me gjyshin, babain, të afërmit, në pafundësi, mjaftonte që t’a kishe në fis, caktonin dhe më kë shoqërohej, me cilën familje po formon krushqi, një pafundësi shënimesh. Kudo përçmim, kudo urrejtje, kudo përbuzje. E ndanë shoqërinë në të mirët që ishin ata që sundonin dhe pasuesit e tyre dhe të këqinjtë ishim të gjithë ne të cilësuar “armiq” dmth u përdor lufta e klasës për të përçarë popullin, ky quhet racizëm komunist shqiptar…dmth përçaj e sundo.

A ka gjëra që ju nuk i keni futur me dashje në libër? Heqja nga arsimi a ju demoralizoi? A ju nënshtruat sistemit totalitar shqiptar?!

Në libër kam treguar gjërat kryesore, që nuk është e mundur të tregosh çdo gjë. Heqja nga arsimi më vrau shpirtërisht,ndodhi pas afro shtatmbëdhjetë vitesh punë dhe tetëmbëdhjetë vite studime, ishte një goditje që më hodhi poshtë gjithë veprimtarinë e jetës sime… Largimi nga puna u bë për arsye biografie, dmth isha nga shtresa e cilësuar “armiq të popullit”, dmth u zbatua lufta e klasës. Por jeta vazhdon dhe unë jetova si gjithë pjesëtarët e tjerë të shtresës qëi takoja, ishim të padëshiruar nga partia-shtet.

Çfarë ndjësish patët të merrnit në dorë dosjen e arsimit pas kaq vitesh?

Dosja e punës sime më ra në dorë pas gjashtëdhjetë vitesh. Në fillim pata emocione, por kur shfletova dosjen e punës pashe se puna që bëhej në sistemin komunist nuk vlerësohej nga specialistët e arsimit, ajo plotësohej nga sekretari i partisë, i fshatit dhe i qytetit. Në vitin 1974 org.bazë e partisë e fshatit Dajç në relacionin për punën time si mësues e kishte plotësuar në mënyrë të shkelqyer dhe vlerësuar pozitivisht, ndërsa më 26.04.1975  Organizata bazë e Partisë Lezhë, duke parë problemin e kuadrit të arsimit në frymën e materialeve të fundit të Partisë dhe fjalimit të sh.Enver të datës 31 mars 1975, propozon që Fatbardha Mileti të largohet nga rradhët e arsimit mbasi nuk i ka kushtet politike për të qëndruar në këte detyrë dhe pra nuk është e denjë për të edukuar brezin tonë të ri. Propozohet që Fatbardha Mileti të largohet nga radhët e arsimit, mbasi i mungojnë kushtet politike, si e padenjë për edukimin e brezit tonë të ri dhe të kalojë direkt në prodhim.

Shef i seksionit kuadrit P/Komitetin Ekzekutiv K.P.Rrethit

Aleksandër Llusha (Firma)

Sekretari

Avni Saliu (Firma)

Lezhë më26 .IV.1975

Mbasi lexon këtë raport partiak nuk është nevoja ta diskutosh sepse çdo gjë vendosej nga Partia.

Cila është figura më frymëzuese për ju?

Frymëzimi është i shumëllojshëm. Gjatë jetës mëson për shumë figura të larta që i kanë shërbyer kombit dhe botës dhe të zgjojnë dëshiren për studim e punë që të bëhesh e vlefshme në drejtim të shoqërisë. Jeta e nënave shqiptare është shumë frymëzuese. Mënyra se si ajo sakrifikon jetën e saj për mirërritjen e fëmijëve, është ndjenja më e lartë në jetë. Frymëzim nga autorë që tregonin për diskriminimin , që shtronin problemin e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, me histori, duke shfletuar e parë shpirtin njerëzor, plagët e gëzimet e tyre. Brenda punës gjenë kënaqësinë, kjo arrihet me këmbëngulje, përvojën e reflekton me atë që i përçon publikut. Kam përjetur lodhjen duke u kënaqur. Por në jetë ka frymëzime pafund…

A keni menduar ndonjëherë se do të shkruanit një libër të tillë, për veten tuaj e për njerëzit që takuat në jetë?

Ato që përjetova, kujtimet janë ende të freskëta, po ashtu edhe pasojat. Nuk është vetem rrëfimi im personal. Vjen një moment dhe do t’a tregosh jo vetëm të tjerëve, por edhe vetes se çfarë ke bërë me jetën tënde dhe me vjen mirë që arrita në përfundimin që kanë qenë vite të mundimshme, por dhe të mbushura me kënaqësi, me suksese në punë, në veçanti dashuria për nxënësit dhe dashuria e pakufi për familjen. Janë vite përpjekjesh dhe arritje të merituara. Njerëzit e parë që takon njeriu në jetë janë prindërit, që janë nektari i jetës, na rritën me dashuri, ditën të na mësonin, të na mbronin nga bota e ashpër e diktaturës, duke krijuar mundësinë e një ndjeshmërie të lartë për t’u mbrojtur.Lumturi kur u bëra nënë, të marrësh në duar fëmijën që të mbush jetën me gëzim, me diell pranvere atëherë kur isha e mërzitur…

A do të ketë një libër tjetër pas kwtij?

Të shohim ç’më premton mosha. Kanë kaluar shumëdhjetëvjeçarë të jetës dhe kanë mbetur më pak kohë, të shohim…!

A keni një mesazh që doni të përcillni me anë të këtij libri?

Mesazhi im është: Çmojeni jetën dhe shëndetin shumë, studioni e punoni gjatë gjithë jetës dhe mbroni me forcë të drejtat dhe liritë e juaja. Duhet me dashtë njeriun, sidomos kur atë e kanë lënë pas dore, kur atë e kanë harruar, braktisur, kur e kanë dëbuar, dënuar pa të drejtë. Mos u dorëzoni përpara vështirësive. Sa herë që do të rrezoheshin në jetë aq herë duhet të ngriheni, të ngriheni edhe më lart se më parë, që të vazhdosh e të përparosh. Mësoni të ruani lirinë tuaj, pa dëmtuar lirinë e të tjerëve. Dhe jetën e kam kthyer në mision, për të treguar të vërtetën se si jetohej në Shqipërinë totalitare, në këtë mision nuk jam e vetme, jam me të gjithë ato që vuajtën dhe më ato zëra që nuk mund të dëgjohen. Jam zëdhënëse e tyre…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lifestyle

Si të jetoni më gjatë, ja çfarë është regjimi ushqimor nordik

Regjimi ushqimor Nordik është një mënyrë e të ushqyerit që fokusohet në produktet lokale të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme Lifestyle

Mirëqenia, sa shpenzojnë shqiptarët në vit? Rreth 460 dollarë për frymë

Instituti i Mirëqenies Globale (Global Wellness Institute), i cili njihet si burimi kryesor për kërkime…

LEXO ME SHUME
Categories Lifestyle

Harrojeni çajin me mjaltë, ka një tjetër zgjidhje për dhimbjen e fytit

Keni dhimbje fyti? Në vend që të merrni ibrikun dhe të përgatisni një çaj me…

LEXO ME SHUME
Categories Lifestyle

Obeziteti në rritje edhe te fëmijët në Shqipëri

Pak ditë më parë, një studim i Lancet dhe OBSH tregoi se më shumë se…

LEXO ME SHUME
Categories Lifestyle

Ja pse duhet t’i lani rrobat e reja para se t’i vishni

Kur blini rroba të reja, sigurohuni që fillimisht t’i lani ato mirë, sepse kimikatet e…

LEXO ME SHUME