/ATSH/- Në qytetin e Sarandës, janë akomoduar tre familjet e para të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, që goditi vendin tonë. Ato kanë mbërritur nga Durrësi në orët e mbrëmjes të së enjtes, dhe janë akomoduar në Hotelin “Apollon” në Sarandë.
Ato janë tre familje italiane, rezidente në Durrës, mes të cilëve edhe një grua shqiptare, e martuar me shtetas italian.
Paraditen e sotme të akomoduarit janë vizituar në mjediset e hotelit nga Kryetari i Bashkisë, Sarandë, Adrian Gurma dhe nënprefekti Mirosh Birjani.
Kryebashkiaku Gurma është interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe psikologjike dhe tha se Saranda është e gatshme të japë kontribut për të kaluar këtë situatë të vështirë, të shkaktuar nga lëkundjet e tërmetit. Familjaret kanë shprehur falenderim për pritjen dhe kushtet që ofron Saranda në këto ditë të vështira për ta dhe kanë vlerësuar interesimin dhe vëmendjen e treguar drejtpërdrejtë nga i pari i qytetit dhe nga autoritetet e tjera vendore.
Në bashkëpunim me Shoqatën e Hoteliereve, Bashkia e Sarandës ka bërë që 15 hotele të Sarandës ose 550 dhoma të tyre, të ofrohen për familjet e dëmtuara nga tërmeti, ndërkohë që kësaj nisme solidariteti i janë bashkuar edhe disa qytetarë që kanë ofruar shtëpitë e tyre të dyta. /j.p/



\

