Serenatat, këngët e njohura si himn i dashurisë kanë sjellë një mbrëmje magjike në Pazarin e Vjetër të Korçës. Mes Korçës dhe Shkodrës, këto këngë të kënduara herët, e që trashëgohen ende sot, mbeten një atraksion i rëndësishëm kulturor për këto qytete, të cilat e njohin mirë serenatën.
Ndërthurja në një mbrëmje të vetme e serenatave të Korçës dhe Shkodrës ka bërë që banorë, turistë e vizitorë të qytetit të kërcejnë dhe këndojnë së bashku, pavarësisht temperaturave disi të ulta. Për artistët, serenatat e dy qyteteve kanë një lidhje të ngushtë mes tyre. Për turistët dhe vizitorët, serenatat mbeten një element shumë interesant i asaj çka ky qytet ofron.Të përfshirë nga ritmi dhe muzika, ata kanë kërcyer në sheshin kryesor të pazarit deri në mbrëmje vonë pa e fshehur entuziazmin
“Vij nga Hollanda, jemi një grup shoqëror dhe për mua është e disata herë që jam këtu. Është shumë bukur, ka muzikë shumë të mirë, atmosferë, ushqim të mirë, është shumë bukur. Kam qenë edhe për festën e birrës këtu dhe jam kënaqur shumë”, thotë një turiste holandeze. “Për mua është hera e parë që vij këtu por është vërtet impresionuese. Kam dëgjuarfjalë shumë të mira për këtë qytet dhe është vërtet i tillë. Ka diçka të veçantë dhe kjo muzika është shumë e bukur, të bën të kërcesh”, thotë një tjetër.
“Unë jam nga Hollanda dhe këtu jam për herë të parë. Kam dëgjuar sesi ky vend u transformua dhe është vërtet bukur. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë muzikën e ballkanit dhe kisha kureshtje por mund të them se është vërtet shumë e mirë”, thotë një turist nga Holanda. Dikur një këngë poshtë dritareve të vajzave, sot serenata është kthyer në pasurinë e gjithsecilit për t’u kënduar në festa, në rrugë, në sheshe e çdo organizim.