Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian, kanë reaguar në lidhje me votimin e kësaj të hënë në parlament, ku përmes procedurave të dyshimta u zgjodhën dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes postimeve në rrjetin social, si Ambasada e SHBA-ve po ashtu dhe delegacioni i BE-së, kanë përshëndetur emërimin e dy anëtareve të reja të Kushtetueses.
POSTIMI I AMBASADËS SË SHBA-ve:
“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri.”-shkruan Ambasada e SHBA-ve.
POSTIMI I DELEGACIONIT TË BE-së NË TIRANE:
“Sot Parlamenti shqiptar zgjodhi dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, thuhet në këtë reagim.
