Categories Lajme

Shefja e BE-së: Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi të dielën në Tiranë se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në dialog për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Zyrtarja e lartë evropiane ka mbërritur në Shqipëri një ditë para nisjes së samitit të Procesit të Berlinit, që për herë të parë zhvillohet në një nga vendet e rajonit.

E pyetur se çfarë ndodh me Marrëveshjen e Ohrit – të arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë – pas sulmit të 24 shtator në Banjskë të Kosovës, Ursula von der Leyen tha se ajo është rruga ku duhet ecur drejt Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja e Ohrit është baza, themeli për pajtimin përmes dialogut të BE-së. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është e vetmja mënyrë, përmes angazhimit, përmes dialogut, sepse kjo është rruga e duhur për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe homologia e tij serbe Ana Bërnabiq, do të ulen të hënën në një tryezë për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se situata e krijuar mes dy vendeve do të diskutohet gjatë drekës së punës së liderëve pjesëmarrës, por shtoi se askush nuk duhet të presë zgjidhje nga ky samit.

“Procesi i Berlinit lidhet me nxitjen e vazhdueshme të të gjitha vendeve të rajonit drejt katër lirive të BE-së, lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Tipikisht ky proces nuk është vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Por, në programin e Samitit, dreka e punës e liderëve, do t’iu kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për diskutim të hapur mes të pranishmëve, është e programuar, por nuk është një samit, i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme, që janë probleme që trajtohen dhe zgjidhen nën ombrellën e BE-së”, tha kryeministri Edi Rama.

Plani i ri i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se presidentja e KE-së “ka ardhur në Tiranë për të paraqitur një plan të ri që do ta ndihmojë shumë Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë që të ecin më shpejt drejt BE-së”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ky plan i ri ekonomik do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor duke përfshirë integrimin ekonomik.

“Ky plan ka potencial nëse vihet në zbatim siç duhet, ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e përbashkët të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, tha Von der Leyen.

Në samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet në Tiranë, do të marrë pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Sholz.

Mbi 1.600 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 600 efektivë të gardës janë në gatishmëri për mbarëvajtjen e samitit.

Disa prej rrugëve kryesore pranë Piramidës, vendi ku do të zhvillohet samiti në qendër të Tiranës, janë bllokuar që prej mbrëmjes së të dielës.

Tiranë, 15 tetor.
Tiranë, 15 tetor.

Të hënën në Tiranë arrin edhe presidenti francez, Emanuel Macron.

Kjo është vizita e parë e një presidenti të Francës në Shqipëri.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

“Jeta ime në rrezik”- Pranohet kërkesa e Durim Bamit, do të transferohet nga “313” në burgun e Fushë-Krujës

Është pranuar kërkesa e Durim Bamit për t’u transferuar nga IEVP “313” në burgun e…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

59-vjeçari u dyshua se humbi jetën për shkaqe natyrale, zbardhet dinamika e ngjarjes së 13 prillit në Durrës. Arrestohet 42-vjeçari…

Policia e Durrësit ka zbardhur rrethanat e vdekjes së një 59-vjeçari, ngjarje e cila fillimisht…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestohet 62-vjeçari! Ja çfarë iu sekuestruan dhe akuzat ndaj tij nga policia e Lezhës

Një 62-vjeçar është arrestuar ditën e sotme (18 prill) nga policia e Lezhës, pasi akuzohet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Ja arsenali i sekuestruar në Burgun e Peqinit, Nga çakmaku i shkrirë për thikë dhe kaçavidat e improvizuara, te gërshërët etj….

Thika dhe kaçavida të improvizuara, gërshërë, pirun, pajisje elektronike dhe deri në çakmakë dhe kabuj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Operacion i befasishëm në burgun e Peqinit, nisin kontrollet në qeli

Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë ndërmarrë një operacion të gjerë dhe…

LEXO ME SHUME