Afera “Zhvatja” është test vendimtar për sistemin e shtetit të së drejtës dhe duhet të zgjidhet tërësisht deri në fund, jo për Evropën, por para së gjithash për vetë ne, theksoi Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në sesionin e tretë plenar të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në RMV, që u mbajt në Kuvend.
“Kjo aferë është test krucial për sistemin e shtetit të së drejtës dhe për këtë arsye duhet të zgjidhet tërësisht deri në fund. Jo për Evropën, por për vetë ne, nuk duhet të lejojmë ndikime eventuale anësore, pa marrë parasysh prej nga vinë”.
Në qoftë se vendimi për vendin është pozitiv, mos festoni por merrni masa konkrete, sepse Maqedonia ka qëndruar shumë gjatë në sallën e pritjes, theksoi ish-anëtari i Parlamentit Evropian dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Eduard Kukan.
“Mos festoni kur të merrni lajme të mira, kjo është këshilla ime për ju, jini dinjitozë dhe krenarë dhe prezantohuni me projekte konkrete si do të vazhdoni me zbatimin e reformave. Është shumë e rëndësishme që vërejmë përparim të madh në fushën e reformave në RMV, vendi ka qëndruar në sallën e pritjes shumë gjatë”.
Për situatën jo të volitshme politike në vend, e cila vazhdimisht kontribuon që të rinjtë të shpërngulen në mënyrë masive, por edhe për mospërfshirjen e të gjithë aktorëve në prioritetet shoqërore dhe shtetërore në proceset vendimmarrëse, foli kryetari i Këshillit Kombëtar për eurointegrime Nikola Popovski. Sipas tij, nevojitet një bashkëveprim i të gjithë faktorëve.
“Atë sistemin që ne e kultivojmë, pluralizmin-fituesi i merr të gjitha, me fjalë të tjera, përceptimi nga ana e qeverisë se qeveria hyn në BE e jo një shtet, një shoqëri dhe të gjithë të tjerët, është justifikimi i çdo qeverie të radhës se kështu ka qenë edhe më parë”.
Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut është aktivitet 2-vjeçar me buxhet total prej 222.280 Dollarë të siguarara nga USAID dhe Agjencia Sllovake për Zhvillim Ndërkombëtar. E njëjta ka për qëllim t’i bashkojë institucionet, mediat dhe sektorin civil për realizim të suksseshëm të kapitujve nga raporti i fundit i përgatitur për vendin nga ana e Komisionit Evropian.
