TRITOL NË VERANDËN E BANESËS NË LEZHË, BRENDA ISHIN NËNA DHE DJALI I MITUR – KAMERAT FILMOJNË AUTORIN
Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me tritol që ndodhi gjatë natës në fshatin Lalm i Ri në Lezhë.
Banesa është në pronësi të një gruaje, e cila jetonte aty së bashku me djalin e saj të mitur. Në momentin e shpërthimit, të dy ndodheshin brenda shtëpisë, ndërsa lënda plasëse ishte vendosur në verandë.
Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar një person të dyshuar si autor të ngjarjes. Ai dyshohet se është afruar me automjet pranë banesës dhe më pas ka vendosur lëndën plasëse.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe konfliktet e mundshme që pronarja e banesës mund të ketë pasur kohët e fundit, për të zbardhur motivet e vendosjes së tritolit.
