Shpëtuan nga ”kampi i ferrit”, por Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha si dhe Endri Dumani vazhdojnë të trajtohen për rehabilitim në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë të Durrësit.
Të riatdhesuarit ndodhen aty që nga muaji tetor, periudhë në të cilën u rikthyen në atdhe nga kampi ”Al-Hawl” në Siri. Mësohet se ka përfunduar faza e parë e trajtimit psikologjik që kishte të bënte me largimin e panikut nga gjendja e luftës që ata kishin përjetuar.
Për më tepër kanë nisur edhe seancat e intervistimit të tyre (kryesisht gruas) nga ana e policisë gjyqësore dhe agjentëve specialë. Burimi bën me dije se ata falen për çdo ditë në mjediset që janë vënë në dispozicion të tyre. Sipas tyre, terapia e rehabilitimit të tyre do të jetë e gjatë dhe ajo do të vijojë.
