Administrata tatimore nisi sot ciklin e parë të trajnimeve mbi projektin e fiskalizimit.Në fazën e parë u përfshinë 31 specialistë me përvojë, të përzgjedhur nga secila prej drejtorive rajonale tatimore, të cilët do të kualifikohen si trajnerë lokalë për të përcjellë njohuritë mbi sistemin e ri të faturimit online, tek të gjithë punonjësit e administratës tatimore.
Kjo është vetëm faza e parë e një cikli të gjerë trajnimesh, i cili përveç stafit të administratës tatimore, përfshin edhe trajnimin e tatimpaguesve dhe specialistëve të fushës në lidhje me këtë projekt.
Trajnimet do të shtrihen në të gjithë vendin dhe do të organizohen në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore(QTATD), duke përcjellë njohuritë e nevojshme mbi të gjitha fazat dhe modalitet e zbatimit të këtij projekti. /a.g

