“I kam dëgjuar, lexuar dhe i hedh poshtë”, ka deklaruar Hashim Thaçi për akuzat, sot në daljen e parë në seancë përballë trupit gjykues në Gjykatën Speciale. Kur gjykatësi e pyeti nëse i ka kuptuar akuzat, ish-shefi politik i UÇK-së është përgjigjur duke deklaruar pafajësinë. Një sekretar i Speciales i ka lexuar akuzat e rënda ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Përsëris se akuza është e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës dhe i hedh poshtë si të paqëndrueshme”, ka deklaruar Thaçi. Gjykatësi Nicolas Guillou i ka thënë Thaçit paraprakisht se sot s’është koha që t’i kontestojë akuzat ndaj tij.
David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi ka pasur disa kritika për praktikat e Gjykatës Speciale qysh në fillim të seancës së parë ndaj tij. Ai ka thënë se për shkak të mos kryerjes së detyrave si duhet nga Specialja, sot s’kanë mundur të paraqiten me ekipin e plotë të avokatëve.
“Është me keqardhje që them se ky proces është realizuar pa e njoftuar mbrojtjen në kohën e duhur. Unë ju premtoj se do të bashkëpunoj me gjykatën ashtu siç bëri Thaçi gjatë gjithë këtyre viteve. Gjykata po heton këto çështje më shumë se 5 vjet kurse aktakuza është bërë para 6 muajve. Nuk ishte e mundur që të themelohet një ekip mbrojtës, nuk ishte e mundur që të silleshin këtu njerëzit që duheshin. Është e vështirë të kuptohet pse kjo është bërë në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
Arrestimi Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimn u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.
Aktakuza Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, e Jakup Krasniqi, sipas aktakuzës së publikuar nga Specialja, kishin dhënë udhëzime, instruksione dhe urdhra lidhur me kundërshtarët e tyre, por, përveç kësaj, ata thuhet të kenë marrë pjesë personalisht në frikësimin, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve.
Në aktakuzë përmenden disa raste, kur të njëjtët sipas dëshmitarëve janë parë në situata të tilla, si në Rahovec, kur pretendohet se ishin burgosur disa civilë serbë, ku ishin prezentë Thaçi, Veseli e Selimi.
Në një nga pikat përmendet se Thaçi e Selimi kishin bërë disa veprime në frikësimin mbi njësitë që ishin të lidhura me LDK-në, duke iu referuar FARK-ut.
“Në disa raste, përfshirë atë në fillim të shtatorit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi kërcënuan dhe përdorën forcë mbi njësitet e lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) që lidheshin me Qeverinë në ekzil”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë. (Vijon) /TPZ.al/
