Categories Lajme

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022, Veliaj: Mundësi fantastike për të promovuar të rinjtë shqiptarë

Tirana merr zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022. Në arenën e elektrizuar nga muzika dhe të rinjtë, Kryetari i Bashkisë së Klaipedas në Letoni, Vytautas Grubliauskas, i dorëzoi në mënyrë simbolike kryebashkiakut Erion Veliaj çelësin që simbolizon marrjen e detyrës.  “Është një moment shumë i veçantë t’ia dorëzoj sot çelësin kryebashkiakut të Tiranës.

Ne duhet ta mbështesim kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Shqipëria dhe Tirana janë vende për të cilat do të ndihemi krenarë dhe do të themi: -Po, ne kemi qenë kryeqytet i rinisë para këtij kryeqyteti të mrekullueshëm. Tani ky simbol besimi është në duart tuaja”, u shpreh Grubliauskas.

Si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë moment një mundësi fantastike për Tiranën. “Kemi marrë zyrtarisht stafetën nga Klaipeda e Lituanisë që ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2021.

Ndaj ne do të përdorim gjithë ditët e fundit të dhjetorit për të planifikuar një kalendar që deri tani ka shkuar në 1000 aktivitete për gjithë vitin që vjen. 1000 aktivitete ku ne duam që të rinjtë të lidhen me njeri-tjetrin në shumë fusha, nga sporti, arti, kultura, sipërmarrja rinore, aktivistët e mjedisit. Është një ditë fantastike dhe një mundësi e jashtëzakonshme për Tiranën edhe si një kartolinë se çfarë është Shqipëria moderne sot dhe çfarë mund të bëhemi nesër”, tha ai.

Kreu i bashkisë theksoi se përgjatë 2022-it, do të mbështeten dhe promovohen jo vetëm të rinjtë nga Tirana, por edhe ata nga trevat e tjera shqipfolëse. “Ne duam gjithashtu që të përdorim këtë mundësi fantastike për të promovuar të rinjtë shqiptarë edhe përtej Tiranës, të rinjtë shqiptarë kudo në Shqipëri, të rinjtë shqiptarë kudo në Kosovë, në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë Perëndimore, në jug të Malit të Zi, sepse shohim si një platformë ku ne mund të tregojmë aftësitë tona”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj. Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjet për të gjithë ata që kanë një ide për aktivitete për t’u bërë pjesë e kalendarit fantastik.

“Do kemi disa aktivitete që do jenë masive nëpër të gjithë sheshet dhe terrenet e mëdha të Tiranës. Sigurisht do kemi edhe disa gjëra që janë më të vogla në nivel shkolle, lagje, në nivel komunitar. Për këto ide ne sapo kemi hapur një thirrje. Është një thirrje për të gjithë organizatat rinore, universitetet, për të gjitha organizimet rinore, qofshin ato kulturore apo sportive që të aplikojnë, që të kemi mundësi t’i mbështesim financiarisht për të realizuar të gjitha ëndrrat dhe gjithë pasionet dhe idetë që kanë në vitin 2022”, nënvizoi Veliaj.

Titulli “Tirana European Youth Capital 2022” i është akorduar të rinjve të Shqipërisë, në vitin 2019 në Aimens, Francë, si një përpjekje e finalizuar me sukses nga organizatat e shoqërisë civile, nën drejtimin e Kongresi Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Plagosi pronarin e marketit, arrestohet 42-vjeçari në Kavajë/ I sekuestrohet një thikë e një sëpatë

Policia e Kavajës ka arrestuar personin, i cili plagosi me thikë pronarin e një marketi, i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

U arrestuan si pjesë e grupit që shpërndante kokainë në Tiranë, Gjykata lë në burg 21 persona, lirohet vetëm njëri prej tyre

U mbajt këtë të premte në Gjykatën e Tiranës, seanca ndaj 22 personave të arrestuar…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Probleme me platformën shtetërore e-albania, DW: I gjithë shteti online është i bllokuar

Prej disa ditësh platforma e-Albania po përballet me një bllokim teknik serioz, që ka sjellë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Humbi jetën teksa luante futboll, zbulohen detaje nga vdekja e 42-vjeçarit në Vlorë

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Novoselë. Gjatë një ndeshjeje…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Pamje e rrallë! Zbatica zbulon rërën në plazhin e vjetër në Vlorë dhe Zvërnec

Mëngjesi i së premtes e ka gjetur detin në zonën e plazhit të vjetër dhe…

LEXO ME SHUME