Trupa e fëmijëve të Vlorës “Vajzat Guximtare”, pjesë e lëvizjes Girlscouts Albania inicuan një takim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë për të realizuar një aktivitet në shenjë falenderimi ndaj punës, përkushtimit dhe sakrificës së patrullave të policisë rrugore gjatë periudhës së verës.
Kjo ide, e ardhur fillimisht prej një fëmije të grupit dhe e mbështetur prej bashkëmoshatarëve të saj, të cilët kishin identifikuar vetë gjatë momenteve të shkuarjes në plazh punën sakrifikuese nën diell të policëve dhe dëshirën për t’u ofruar ujë apo lëngje të ftohta në shenjë dashurie dhe falenderimi do të bëhet realitet në ditët në vijim në bashkëpunim me policinë e Vlorës.
“Më e pakta, por edhe më e bukura që ne mund të ofrojmë si fëmijë është dashuria jonë!- u shpreh sinqerisht një prej vajzave të grupit. Ky grup me bazë vullnetare synon edukimin dhe ngritjen e kapaciteteve të fëmijëve për iniciativa dhe shërbime qytetarie për komunitetin.









