Edi Kojani është një piktor me talent të spikatur, i cili e përfaqëson më së miri artin vlonjat. Mjeshtër i peisazhit dhe kompozimit, ai ka hapur 16 ekspozita personale, ka marrë pjesë në bienale dhe njihet si përkrahës i talenteve të reja. Sot mora pjesë në ceremoninë e nderimit të Edit nga shoqata kulturore-atdhetare “Labëria” me titullin “Personalitet i shquar i Labërisë”.
Personalisht, mendoj se çdo politikan duhet të ketë më shumë vëmendje ndaj artit në përgjithësi, së paku për dy arsye: E para, piktura në veçanti dhe arti në përgjithësi na jep ndjeshmërinë e domosdoshme për të ruajtur raportin me njerëzit.
E dyta, piktura dhe arti janë konfirmimi i faktit se punët dhe vepra e njeriut janë ato që kanë më shumë rëndësi. Vjen një ditë që vepra mbetet, përtej autorit. Ndaj duhet të kujdesemi të bëjmë vepra të mira, si në art, si në politikë, si në jetë. Që edhe kur të mos jemi më, të mbetet emri i mirë. Mirënjohje shoqatës “Labëria” për vlerësimin e piktorit të njohur dhe për Edi Kojanin një urim: punofsh edhe shumë vite të tjera i zhytur në talentin tënd, i thellë sa Joni. Suksese!

