Bundesliga do të jetë kampionati i parë nga pesë ligat kryesore që e ka të sigurt rikthimin në maj. Qeveria gjermane ka dhënë lejen për vazhdimin e sezonit ne mesi i muajit maj, duke ua dhënë mundësinë institucioneve të futbollit të vendosin për këtë gjë. Sipas qeverisë, Bundesliga mund të rifillojë sezonin në gjysmën e dytë të majit, duke respektuar një plan të rreptë higjenik. Këtë vendim të qeverisë e ka përshëndetur drejtori i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge.
“Dua të falënderoj politikanët për vendimin e sotëm, që mundësuan që sezoni i Bundesligës të luhet për përfundim”, ka deklaruar Rummenigge, përcjell lajmi.net. “Tani mezi presim të rifillojmë lojën, në mënyrën ideale nga mesi i majit. Kjo siguron që vendimet sportive të merren në fushë dhe jo në sallën e bordit”.
“Unë do të doja të falënderoja shprehimisht DFL dhe Task Forcën për organizimin e jashtëzakonshëm dhe planet mjekësore”. “U bëj thirrje të gjithëve që të ndjekin udhëzimet në këto plane, të cilat janë baza për rinisjen e lojës, në mënyrë shembullore dhe të disiplinuar”.