Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, që Greqia të mos e ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë.
Dy liderët u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, bëri të ditur shërbimi për media i Presidencës serbe.
Sipas komunikatës së lëshuar të martën, Vuçiq tha se popullin serb dhe atë grek i lidh një miqësi e sinqertë dhe se është e nevojshme të punohet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Vuçiq tha se e falënderon Greqinë për mbështetjen që i jep dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
Në komunikatë thuhet se Vuçiq e njoftoi kryeministrin grek edhe me, siç u shpreh, problemet që kanë lindur pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për t’iu vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia./REL/
