Xherdan Shaqiri do të jetë mungesa e madhe e Zvicrës në dy takimet kualifikuese të Euro 2020. Sulmuesi me origjinë shqiptare nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit,Vladimir Petkovic jo për shkak të ndonjë dëmtimi, por me një kërkesë të veçantë të futbollistit.
Duke qënë se ka humbur vendin e tij te Liverpool, Shaqiri ka preferuar që këtë ndalesë të kampionatit më të fortë në botë ka shfrytëzojë duke u stërvitur, për të qënë sa më në formë për rifillimin e saj. Konfirmimi vjen nga faqja zyrtare e Federatës Zviceriane të Futbollit, që zbulon se Shaqiri e ka refuzuar ftesën pasi kërkonte të ishte i fokusuar me skuadrën e tij, Liverpool.
“Xherdan Shaqiri, i cili ka vendosur të përqendrohet plotësisht te klubi i tij, nuk do të jetë i disponueshëm”, -thuhej në njoftimin e Federatës.
Një vendim që ka marrë duartrokitjet e shumë tifozëve të Liverpool, por jo atyre të Zvicrës.
Shaqiri është një nga lojtarët kyç të Zvicrës, e cila nuk do të llogarisë shërbimet e lojtarit të Kampionëve të Europës për sfidat e grupit D, ndaj Irlandës të enjten e ardhshme dhe Gjibraltarit të dielën.
Aktualisht, Helvetët ndodhen në vendin e tretë në grup me katër pikë pas dy ndeshjeve. Në takimin e Dublinit, Zvicra do të kërkojë të mbyll hendekun prej gjashtë pikësh kundrejt Irlandës, e cila nga ana e saj ka zhvilluar dy takime më shumë.
