Categories Opinion

Historia e të paktëve (studentë, teatër, “Astir”) “Histori e së drejtës”

Sazan Guri

Nëse i hedhim një shikim ‘Historisë të së Drejtës’, lehtësisht mund të kuptosh që demokracia është zhvilluar, jo thjesht nga vendimmarrjet me anë të shumicës, që gjithmonë kanë qenë të përkohshme, por nga mbështetja që i është bërë në një kohë të dytë vizionit të të paktëve apo një grupi të individëve, si rasti Studentë, Teatër, “Astir” “Unazë”. Historia e tyre rri si në hije, veç është si bari që nuk vërehet kur mbin. Oliver Kromuell p.sh., u ekzekutua nga bashkë parlamentarët e vet, por me idetë e tij postmortum, Anglia mbretëroi botën për shekuj, madje bëri të mundur të zhvillohej edhe një kontinent tjetër si Amerika, model i demokracisë sot.

Le të sjellim në vëmendje Hitlerin që hipi në pushtet me shumicë në vendimmarrje, por historia tregoi se të paktit që e kundërshtuan kishin të drejtë. Ndaj, në Amerikë, shteti ofron në Komisionet e Bordeve të drejtimit të ndërmarrjeve, ekspert për të studiuar vizionin dhe idetë e të paktëve, madje të pakët fare, që me mendim të pavotuar bëhen pararoja e së ardhmes për ecurinë e shtetit dhe të vetë kompanive. Po ashtu, në parlamentet e Amerikës, të Britanisë dhe të Francës studiohen dhe analizohen në hollësi, rastet pse kundërshton ky akshën grup si rastet Studentë, Teatër, “Astir” “Unazë”, dhe iu krijohen kushte për t‘i lëvruar idetë deri në përgatitje të dytë, të tretë apo të pafund, për të arritur në rregullin formal të vendimmarrjes me shumicë.

Por, askush nuk guxon t‘i paralajmërojë ata për gjoja rrugë kundër shumicës. Askujt nuk i bie ndërmend të marrë hapa denigruese apo përjashtuese ndaj tyre. Pse? Sepse historia ka treguar, që vizionarët, mendimtarët, fare të paktit e tipit si Studentë, Teatër, “Astir” “Unazë” e pak të tjerë kanë pasur të drejtë. Sepse, historia është bërë nga mbretër apo parlamente me shumicë votash, por kursin e saj, herët apo vonë e kanë drejtuar të paktit si këta e pak të tjerë. Por, të paktit kanë pasur dhe anën tjetër të medaljes. Ata gjithmonë kanë kaluar nëpër tre faza: faza e parë, nuk dëgjohen, sepse kanë zë të ulët, mbyten, përjashtohen, dhunohen deri eliminohen; faza e dytë, denigrohen si imazh, si figurë, si teori, si ikonë, që vetvetiu kjo fazë përgatit vetë ata dhe faza e tretë, ajo e përjetësimit, e simbolizimit deri të kthimit, shpesh, në doktrinë të ideve të tyre. A e mban njeri mend Kryetarin e Bashkisë së Athinës apo të shtetit polis Athinë të kohës së Sokratit? Kurrsesi jo. Përsiatet Sokrati, bir pellazgu, si bir i urtë i Athinës, që vizionoi të ardhmen e shtetit demokratik Grek.

Sigurisht, vetë ai u syrgjynos. A e mban njeri mend emrin e Papatit të Kishës të viteve të Galileut. Kurrsesi jo. Mbahet mend vetë Galileu, që la si pergamenë “E poi, si muove” ose Xhordano Bruno, që u shkrumbua për së gjalli nga turra e druve, dhe gjene thoshte, që toka rrotullohet rreth diellit dhe jo e kundërta si asokohe Kisha. Le të vimë tek rastet tona. Çdo betejë merrej me 99% të votave në kohën e diktaturës, por kauza u fitua nga ata të paktit, nga 1%, që shpirti iu preftë në paqe për kundërshtimet intelektuale. Dihet, që shumica e votave është zgjidhje për momentin, që shpesh ngjan me psikologjinë e turmave. Është pakica, ajo që lëviz botën, ndonjëherë dhe një grup fare i vogël të paktësh, për të mos thënë deri në ndonjë individ, si rasti Studenta, Teater, Astir unazë e pak të tjerë këto vitet e fundit, sidomos kur i bashkohet vullneti shpirtëror, kultura dhe urtësia. Sepse si na thot Volteri, njeriu nga natyra është i lig, nëse është i mirë, kjo është fryt i kulturës.

A nuk ishte si një yll polar, prof. Ylli Popa që si i paktë në trup e në votë doli kundra Partisë së at‘hershme të Punës dhe vizionoi kohën për Shqipërinë e shqiptarët. A nuk ishte gjiganti Kadare, një dhe i vetëm, që megjithëse e etiketuan si gjeneral të jashtëqitjes së kombit, sfidoi rrjedhën e diktaturës, orientoi Shqipërinë dhe shqiptarët sipas rrjedhës natyrore të lumenjve, drejt perëndimit. A nuk ishte i madhi Dritëro, që megjithëse e qeshën dhe e përqeshën në Kongresin e parë po këta socialist, hodhi mëkatet pas të Partisë së Punës, në mënyrë që këta të sotmit të pranoheshin në rrugën e re të demokracisë. Kështu janë edhe rastet Studentë, Teatër, “Astir” “Unazë”e pak të tjerë.

A nuk duken këta sot si të vetëm në shqipëri që shumë shpejt njerëzia shqiptare do t’i kuptojë e do t’i pasojë. Ata dhe pak të tjerët nuk mund të jenë edhe shumicë votash, edhe ide, edhe vizion, sepse idetë apo vizionet janë dhunti e të paktëve, ndërkohë, që shumica e votave janë psikologji e të shumtëve “Gente commune”, sepse zoti i ka gatitur ata për punëra të mëdha e për udhërrëfime, dhe të shumtit për të ndjekur gjurmët e tyre. Nuk është faji i shumicës, që nuk i kupton Studentë, Teatër, “Astir” “Unazë” (qytetarë me vullnet), as i këtyre, që nuk kuptohen prej atyre pa vullnet, apo prej të rëndomtëve njerëz, por sidomos akoma prej budallenjve me vullnet. Ruajna Zot nga këta të fundit.

Por, këta e pak të tjerët kanë veçse një faj, që kanë lindur para kohe, aq më tepër nuk kanë lindur si qaramanë për të sharë errësirën, por për të ndezur një qiri për të lypur atë që Naimi luste – hiqmu errësirë. Por, a kanë faj këta e pak të tjerët se nuk shohin deri te hunda e tyre?! Me të vërtetë janë qytetarë të zakonshëm, po si mund t’i ndëshkosh, sepse Zoti i ka pajisur me shqisën e së ardhmes. Ç’po na servirin rastet Studentë, Teatër, “Astir” “Unazë” e pak të tjerët?! Ata nuk po na mbushin mendjen me kulturën e tyre, por nëpërmjet mendjes sonë po na përçojnë mendjen e tyre. Fantastike, ashtu urtë e butë e tigani plot. Të paktën, t‘i respektojmë të paktit, sepse e ardhmja ata ndjek. Sepse ata janë njerëz që prodhojnë ngjarje, jo si të tjerët që bëjnë sehir. Sigurisht, kjo tokë ushqen edhe grupe që bëjnë sehir, edhe grupe që tregojnë ngjarjet e të tjerëve. Dhe të shumtit do venë te ata, por pse si të lodhur të venë si kurdoherë vonë. Lumë ai që i pranon herët. Gjynah për atë që i merr vesh vonë, por të mjerë janë ata që nuk i kuptojnë fare. Sa keq, madje, të përmjerë. Nuk ka më keq se të vdesësh, më saktë, të ngordhësh i tillë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

Shoqëria “sugar daddy”!

Nga Xhensil Shkëmbi Këtë term e kisha dëgjuar, e dija çfarë ishte por deri dje…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A kemi krijuar një shoqëri shumë komplekse për të mbijetuar?

Shoqëritë njerëzore evoluan nga format e thjeshta, në ato komplekse gjatë mijëvjeçarëve, duke përjetuar ndryshime…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Mashtrimi me Sazanin – Nga Andi Bushati

Nga Andi Bushati Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Analiza/ Pse ka ngjallur kaq shumë debat lajmi për 1 miliard USD në Sazan? Skenarët konspirativë me Trump e Soros

Pse ka ngjallur kaq debat lajmi i fundit për 1 miliard investime amerikane në Shqipëri?…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME