Categories Lajme

Agron Gjekmarkaj: Basha e trajtoi opozitën si byrekun, është në shërbim dhe i atashuar me qeverinë

Nënkryetari demokrat i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj është një nga zërat racionalë në skenën politike dhe me qetësi ai shpjegon pse opozita duhet të ecë përpara pa pritur më për Lulzim Bashën.

Ai mori shkas edhe nga mungesa në parlament e grupit të Bashës, në kohën kur opozita është në protestë dhe nga ato që i quan sulme të vazhdueshme mediatike ndaj deputetëve të grupit parlamentar të PD.“Ky është një shërbim dhe atashim i tyre pranë qeverisë. Raporti që Basha ka me Shqipërinë, me opozitën dhe me elektoratin e saj është raporti që kishte me byrekun, të cilin e bleu duke menduar që e shijonte shumë, si djalë sportiv dhe spontan dhe, sa mendoi që nuk po filmohej, e hodhi me neveri. Ky është raporti i tij me të vërtetën. Kam arritur në këtë konkluzion nga njohja me të dhe nga veprimet që po kryen bashkë me shoqatën që përfaqëson, për fat të keq.”- tha Agron Gjekmarkaj në emisionin “Pa Censurë”.

Ish-nënkryetari i PD nuk është dakord me tezën e ish-nënkryetares tjetër të PD, Jorida Tabaku për një bashkim të të gjithëve, përfshirë zotin Basha, si e vetmja mundësi për të qenë alternativë fituese.

“Pozicionimi i zotit Basha është dukshëm në krah të qeverisë. Atë që nuk e bën qeveria, punët e pista ndaj opozitës, po i bën zoti Basha në njëfarë mënyre. Nuk dyshoj në vullnetin pozitiv të zonjës Tabaku. Kam respekt për personalitetin e saj, mënyrën sesi komunikon me publikun, është një vlerë e opozitës, por nuk kam iluzione. Nuk mund të jetohet pafundësisht me thirrje dhe iluzione, sepse koha ikën.”- u shpreh Agron Gjekmarkaj.

Agron Gjekmarkaj beson se ka një zgjidhje që opozita të kapërcejë ngërçin dyvjeçar dhe të bëhet gati për zgjedhjet 2025 si një forcë fituese. Ai ka propozuar krijimin e një federate, që bashkon çdo opozitar. Po çfarë do të thotë kjo? “E imagjinoj si diçka që përfaqëson çdo valencë opozitare në Shqipëri, ku secili ruan identitetin e vet, numrat e vet, koherencën e ideve të veta. Ne edhe sot kemi qendrime të ndryshme për çështje të ndryshme. E shoh si bashkëjetesë në diversitet, si një gjë të madhe që mund të na përmblidhte të gjithëve. Pastaj, modalitetet, formulat, realizohen. Mjafton të ketë vullnet dhe realizohet.”- tha Gjekmarkaj

Ai foli edhe për nevojën e daljes me një kandidat për kryeministër, si dhe për rolin e Sali Berishës.

PJESË NGA INTERVISTA

Që t’i shkoj deri në fund çështjes së Parlamentit. Deputetët që mbështesin zotin Basha ju quajnë pupacë të Berishës dhe janë distancuar nga aktet tuaja, siç i kanë quajtur, të dhunshme. Zoti Basha ka munguar në parlament këto kohë. Ju shqetëson kjo ndarje sërish brenda Parlamentit?

Agron Gjekmarkaj: Më vjen keq, se me disa prej kolegëve aty kam raport njerëzor, por ky është vetëasgjesim që ata po i bëjnë vetes në raport me popullin opozitar dhe shpresën për të bërë opozitë në Shqipëri. Ata janë në shtëpi dhe jo në parlament, ku bëhet beteja. Po të vësh re, qeveria nuk ka nevojë të na sulmojë me njerëzit e saj, sepse këtë e bëjnë njerëzit e Lulzim Bashës kudo në media. Ky është një shërbim dhe atashim i tyre pranë qeverisë. Raporti që Basha ka me Shqipërinë, me opozitën dhe me elektoratin e saj është raporti që kishte me byrekun, të cilin e bleu duke menduar që e shijonte shumë, si djalë sportiv dhe spontan dhe, sa mendoi që nuk po filmohej, e hodhi me neveri. Ky është raporti i tij me të vërtetën. Kam arritur në këtë konkluzion nga njohja me të dhe nga veprimet që po kryen bashkë me shoqatën që përfaqëson, për fat të keq.

Ka një zë tjetër të arsyeshëm brenda PD, që qendron e tërhequr nga të dyja grupet në Parlament, Jorida Tabaku. Pak kohë më parë më pohoi në intervistë se pa bashkimin e të gjithëve, përfshi Bashën, nuk shikonte perspektivë të mirë për PD si alternativë qeverisëse.

Agron Gjekmarkaj: Ne kemi harxhuar 2 vite kohë, duke hedhur teza dhe mendime dhe pamë që gjërat po shkonin në ekstreme. Lëvizja e zotit Basha për të marrë atë gjënë e vogël, për ta instaluar veten me thirrje pompoze “të vijë kush të dojë, të ikë kush të dojë, se nuk e dëmtojnë më PD”, më duken qesharake. Pozicionimi i zotit Basha është dukshëm në krah të qeverisë. Atë që nuk e bën qeveria, punët e pista ndaj opozitës, po i bën zoti Basha në njëfarë mënyre. Nuk dyshoj në vullnetin pozitiv të zonjës Tabaku. Kam respekt për personalitetin e saj, mënyrën sesi komunikon me publikun, është një vlerë e opozitës, por nuk kam iluzione. Nuk mund të jetohet pafundësisht me thirrje dhe iluzione, sepse koha ikën. Është një kohë ku duhet të kuptosh se ku është përqendruar shumica e demokratëve dhe qytetarëve, çfarë perceptohet si opozitë në këtë vend dhe mbi këtë bazë të përpiqesh të modernizosh gjënë aktuale, ta bësh konkuruese, t’i japësh fytyrë të re, të kërkosh rregulla të reja. Opozita sot nuk ka logo, nuk ka vulë, nuk ka firmë, por është frymë. Dhe fryma nuk jeton pafundësisht. Një ditë fryma vdes. Prandaj duhet të dish ta ushqesh, ta mbash gjallë duke i dhënë konture dhe formë të re. Kjo është përpjekja dhe sfida jonë. Nuk bëhet duke iu lutur zotit Basha “aman kthehu”, kur ai është i qartë në pozicionin e tij krah qeverisë. Dhe nuk ka më kuptim ta ftosh. Nëse ai do, patjetër, nuk është vonë, por kjo nuk mund të ndodhë edhe pas 2-3 vitesh që i ke shërbyer qeverisë. Kjo mund të ndodhë tani, por nuk shoh shenja dhe nuk kemi arsye të humbasim kohë për këtë. Do të ishte ideale të ishte dhe Basha, por shoh të gjitha sjelljet dhe gjuhën agresive ndaj nesh, me diversionin qe bëhet, kur dihet shumë mirë se ne aty nuk jemi për Sali Berishën, as unë, as Gaz Bardhi dhe shumë kolegë të tjerë. Jemi për idetë tona, për t’iu rikthyer misionit opozitar, të cilin nuk e kemi humbur, por jemi tulatur nga debati i brendshëm. Kemi harxhuar mjaft energji duke u marrë me njëri-tjetrin në këto 2 vite. Çështja është të merremi tani me qeverinë e Ramës dhe për të përfaqësuar denjësisht votuesit tanë, t’u japim shpresë njerëzve me një alternativë për ndryshim pas kaq shumë vitesh të vështira keqqeverisje.

Mund t’i fitoni zgjedhjet pa këtë përqindjen, sado të vogël, sipas jush, që mund të ketë zoti Basha?

Agron Gjekmarkaj: Edhe një individ i vetëm është për t’u vlerësuar. Edhe një shoqatë, si e zotit Basha, është për t’u vlerësuar, nëse do të donte të bashkëpunonte. Nuk është mirë kur rrjedhin vota. Para dy vitesh e provuam, kur u krijuan 4 parti të djathta nga 4 personazhe të PD-së dhe na hoqën 4 mandate, 37 mijë vota, aq sa ishte diferenca me qeverinë. Çdo votë që rrjedh është një dëm për opozitën, por nuk e bën dot bashkimin e opozitës, nëse tjetri nuk do që të bashkohet me ty. Atëherë do të eksplorosh forma alternative. Do të tentosh të zgjosh ndjesitë e një shoqërie që kërkon ndryshim. Na duhet ta shndërrojmë opozitën në një kantier të hapur për të elaboruar teza dhe për të patur nesër një figurë qendrore që do të përballet me Edi Ramën.

Kjo që po shohim në parlament është grupi parlamentar i Sali Berishës apo grupi parlamentar Gazment Bardhit?

Agron Gjekmarkaj: Në parlament është opozita, e votuar para dy vitesh. Ne nuk jemi aty për t’iu rikthyer historive të vjetra, por as për të mohuar koherencat dhe qendrimet që kemi patur. Ne jemi të bashkuar në frontin opozitar dhe zoti Bardhi po spikat këto kohë. E them me miqtë që, nëse zoti Basha do të kishte bërë çdo ditë këtë që zoti Bardhi po bën prej 2 muajsh, PD do të kishte qenë me kohë në pushtet. E shoh një politikan energjik, aktiv, siç ishte dhe Salianji në seancë, që vërtet mbajti një peshë të admirueshme. Këta janë politikanë që premtojnë dhe duhen ushqyer në gjeneratën e re të politikanëve që duhet të marrin në dorë PD.

Ju pyes për çështjen e lidershipit në grup, pasi ka një përceptim që grupi i deputetëve të drejtuar nga zoti Bardhi tani është asimiluar nga zoti Berisha dhe është ai lideri juaj.

Agron Gjekmarkaj: Jo, nuk ka asnjë asimilim. Ne jemi ulur në një tryezë të përbashkët në Kuvend, ku mblidhemi për të folur për të gjitha çështjet opozitare. Në disa tryeza të përbashkëta, kam hedhur idetë e mia për mënyrën sesi e shoh unë opozitën që do të përballet në 2025-ën dhe formulat që duhet të gjejmë për ta bërë atë konkuruese, fituese, federative, për një kandidat kryeministër që duhet të dalë me rregulla të qarta.

Kur mendoni se mund të nisin diskutimet mes grupit të zotit Bardhi dhe grupit të zotit Berisha për çështjen e përfaqësimit në zgjedhjet e ardhshme? Pra, që të ketë edhe një shkrirje apo siç e quani ju Federatë në opozitë?

Agron Gjekmarkaj: Ne tani jemi në një betejë dhe përfitoj nga prania ime në këtë emision për ta ftuar qeverinë të reflektojë. Në vendet demokratike mbi protestat reflektohet, ato nuk dhunohen, nuk shtypen. Është qeveria ajo që merr përgjegjësinë në vendet perëndimore për të dëgjuar kërkesat e opozitës dhe për t’u dhënë atyre  një zgjidhje ligjore. Është fare pak gjë kjo që kërkohet. Lejimin e  komisioneve hetimore dhe reformën zgjedhore me bashkëkryetar nga opozita e vërtetë e vendit, ajo që do të ndeshet me qeverinë. Nuk ka shumë kohë, bie dakord me ju. Në momentin që do të tejkalojmë këtë betejë, është koha për të hapur gamën e diskutimeve mbi të ardhmen e opozitës, mbi mënyrën sesi ajo do të rithemelohet, si duhet të rikonceptohet, çfarë prurjesh të reja do të sjellë dhe si do të konkurrojmë në zgjedhjet e 2025-ës.

Dhe mendoni se koha më e mirë është vitin e ardhshëm, në janar psh apo e mendoni dhe më herët??

Agron Gjekmarkaj: Nëse ne e tejkalojmë këtë ngërç, pse jo, janari, por dhe shkurti mund të jetë një kohë e përshtatshme për të hapur këtë temë.

Ju flisni për një federatë opozitore. Çfarë do të thotë kjo? Si e imagjinoni?

Agron Gjekmarkaj: E imagjinoj si diçka që përfaqëson çdo valencë opozitare në Shqipëri, ku secili ruan identitetin e vet, numrat e vet, koherencën e ideve të veta. Ne edhe sot kemi qendrime të ndryshme për çështje të ndryshme. E shoh si bashkëjetesë në diversitet, si një gjë të madhe që mund të na përmblidhte të gjithëve. Pastaj, modalitetet, formulat, realizohen. Mjafton të ketë vullnet dhe realizohet.

Funksionimi me sukses i kësaj Federate, ku e pozicionon Sali Berishën?

Agron Gjekmarkaj: Sali Berisha ka kuotat e veta në ketë federatë, kuota maxhore, nëse nisemi nga numrat. Por duke parë po numrat, duke lënë mënjanë retorikën e abuzimit me zgjedhjet, abuzim që ka ndodhur pafund me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, janë numra të konsiderueshëm, por të pamjaftueshëm. Atëherë, ne duhet të prekim tastën dhe të zgjojmë pulsin e pjesës gri të shoqërisë, pjesës liberale të shoqërisë, që e kapërcen elektoratin e Sali Berishës. Atëherë ne na duhet një figurë e re, që ruan trashëgiminë, kuotat politike të Sali Berishës, por i sjell opozitës kuota të reja, besim të ri dhe mundësi alternative për fitoren e zgjedhjeve 2025.

E shikoni këtë figurë tek një emër që ka aktualisht opozita?

Agron GJekmarkaj: Opozita ka disa emra…

E përmendët Gazment Bardhin më parë, por a është ai personi i duhur?

Agron Gjekmarkaj: Nuk mendoj se Gazment Bardhi është në këtë betejë aktuale për një karrige apo pozicion, por nuk e përjashtoj Gazment Bardhin, siç nuk përjashtoj politikanë të tjerë të opozitës apo personalitete jashtë opozitës, që vendosin t’i bashkohen asaj për të konkuruar me qeverinë dhe për të qenë fituese.

Kur flisni për personin karizmatik që do të drejtojë Federatën e Opozitës dhe që duhet të ketë dhe mbështetjen e  Sali Berishës, kush është ky person, kush ju vjen ndërmend, një profil i tij?

Agron Gjekmarkaj: Nuk dua që ky person të jetë produkt i Sali Berishës. Sigurisht duhet të jetë një person që duhet të ketë miratimin e Sali Berishës dhe të të tjerëve që mendojnë ndryshe nga Sali Berisha, ku të ndihen të sigurtë brenda këtij personi. E përsëris, PD ka personalitete. Nuk është detyra ime që të flas për emra sot dhe të bëj diversion. Ju përmendët zotin Bardhi. Është një politikan që ka të gjithë stimën time. E çmoj shumë për energjinë dhe vokalitetin që po i jep opozitës në këtë kohë, duke spikatur. Në një moshë të tillë nuk është pak të mbash ngarkesa të tilla dhe të krijosh binomin Bardhi-Berisha apo Berisha-Bardhi. Ka një dualitet, por ka dhe plot të tjerë politikanë që mund të jenë nesër përfaqësues të opozitës për kryeministër, duke bërë një betejë dinjitoze dhe fituese.

E shikoni të vështirë që Sali Berisha ta pranojë këtë ide tuajën, që, mesa kuptoj, është ide edhe e deputetëve të tjerë? Që Berisha të tërhiqet dhe të mos jetë ai kandidati për kryeministër apo personi që udhëheq opozitën në një fushatë elektorale përballë Edi Ramës?

Agron Gjekmarkaj: Nëse studiojmë me vëmendje 33 vitet, Berisha nuk e ka të lehtë tërheqjen si natyrë, por ka patur raste që ai është tërhequr dhe ka bërë kthime të mëdha pas në gjykimin për ngjarjet, për perosnat. Më tipiku ka qenë në vitin 2005. Tani jemi në një situatë tjetër, shumë më të vështirë se 2005. Nuk e di si do të sillet zoti Berisha, nuk kam folur për këtë, por në debatin për çështjet e opozitës Berisha ka qenë komod. Nuk ka kërkuar asgjë nga ne dhe ne s’i kemi kërkuar asgjë. Kemi folur për çështje të opozitarizmit gjatë gjithë kësaj kohe. Kur të vijë momenti dhe të diskutojmë për çështje të opozitës, atëherë do të bëjmë një tjetër intervistë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Ekzekutoi dy vëllezërit shqiptarë dhe mikun e tij, ja kush është autori i vrasjes së trefishtë në Malin e Zi

Detaje të reja kanë dalë nga vrasje e trefishtë në lagjen “Aeroporti i Vjetër”, në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Detaje/ “Zemra e mamit, deri ku je?”, nëna e mësuesit nga Devolli: E gjetëm pas 7 orëve në rrugë, shkonte për dy nxënës se i donte shumë

Vdekja e papritur dy ditë më parë e mësuesit nga Devolli, Alban Bejleri, ka tronditur…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

U plagosën rëndë pas shpërthimit të granatës, kush janë dy të rinjtë nga Memaliaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Majkosh të Bashkisë Tepelenë, ku dy persona…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Jetë luksi në hotele me katër yje dhe shpërndarje kokaine me skuter elektrik! Arrestohet ‘turisti’ shqiptar në Itali

Jetonte në hotel me 4 yje dhe shpërndante drogë me skuter në bregdetin e Italisë.…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Axhenda/ Mediat greke: Rama viziton Athinën këtë javë! Fjalim në Delphi dhe takim me Mitsotakis?

Mediat helene shkruajnë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të nisë një vizitë disa-ditore…

LEXO ME SHUME