Categories Lajme

Agron Shehaj, Biznesmeni Vlonjat lideri ndryshe i të djathtës shqiptare

Lista e deputetëve të paraqitur nga Lulzim Basha në zgjedhjet e 2017-ës ishte një risi e madhe. Ndër emrat më të spikatur të asaj liste ishte padyshim Agron Shehaj, një biznesmen shqiptar që kishte arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Itali.

Futja e biznesmenëve në politikë nuk ishte ndonjë gjë e re. Qysh prej më shumë se 10-15 vitesh fijet e politikës dhe biznesit u kapërthyen fort. Biznesmenët që futeshin në politikë, rëndom ishin njerëz me të shkuar të dyshimtë ose që kishin bërë paratë me tendera shtetërorë dhe shiheshin më shumë si hambare votash nga politika sesa si kontribute intelektuale, kulturore aq më tepër ligjvënëse. Nga ana e tyre biznesmenët parlamentarë ishin mjaft të kënaqur nga arritjet e tyre “historike” dhe e këmbenin “hambarin e votave” me “hambarin e parave” që përfitonin nga politika.   Qysh atëhere i gjejmë gjurmët e para të “kapjes së shtetit”, pra, shfrytëzimit të ligjeve, VKM-ve etj për të bërë pasuri personale. Me fjalë të tjera, do vidhej me ligje dhe akte nënligjore.

Por ardhja e Agron Shehajt ishte një diçka tjetër. Biznesmeni vlonjat ishte i shkolluar në Itali për ekonomi dhe e kishte ndërtuar atje biznesin e tij shumë milionësh. Ai spikaste nëpër intervistat e para për elokuencën, racionalitetin  dhe qartësinë e mendimit.  Nuk ishte raca që ishim mësuar. I fundit që vinte nga Italia para Agronit ishte Eduart Ndocaj, kaubojsi.

Agron Shehajn nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë. E njoh aq sa mund ta njohin të gjithë shqiptarët që i ndjekin lajmet dhe politikën. E nëse je ndjekës i vëmendshëm i aktualitetit politik, emrin e Agron Shehajt do ta ndeshësh përditë. Ai është sot denoncuesi më i madh publik i aferave korruptive të Qeverisë së Edi Ramës. Prej një viti ai shkëlqen nëpër studio televizive duke argumentuar me dokumenta shkeljet skandaloze të Kryeministrit,  Ministrave, Drejtorëve dhe lidhjet e dyshimta mes biznesit dhe politikës. Ai denoncoi i pari skandalin e Unazës së Re ku një firmë fantazmë fitonte një tender 20 milion Euro për 1 kilometër. Deklarimet e tij në FB për aferat PPP mes Qeverisë dhe oligarkëve janë një brengë e përhershme e pushtetit dhe një kontribut i jashtëzakonshëm i opozitar. Mbrëmë, në edicionet informative, pashë që u ritenderua Unaza e re, segmenti i fituar nga Kompania fantazmë DH Albania. Tenderi i ri e nxirrte fituese kompaninë “Vëllezërit Hysa” me ofertën 14,5 milionë Euro. Pra, nga 20 milionë euro çmimi është reduktuar me 5,5 milionë euro! Po të mos ishte verifikimi i deputetit në qendrën e biznesit të Delawere, sot, ato 5,5 milionë euro do ishin në xhepat e biznesmenëve ose zyrtarëve. Sot janë në buxhetin e shtetit. Po t’i shtojmë edhe 3 milionë euro të fituara nga kompanitë e siguracioneve shkojmë në shifrën 8,5 milionë Euro!

Pra, Agron Shehaj, me një pagesë vetëm 20 USD në qendrën e biznesit të Delawere (pagesa ishte për t’u këkuar informacion për kompaninë fantazmë) i siguroi shtetit shqiptar 8,5 milionë Euro! Duket fare e thjeshtë por askush nuk e bëri. Por denoncimet e korrupsionit  vetëm e spikasin Agronin ndër disa prej deputetëve më aktivë në radhët e Opozitës. Por, Agron Shehaj ka disa pika të tjera që e veçojnë ndër të gjithë.

Së pari ai nuk ka qenë pjesë e sistemit politik deri në vitin 2017 dhe kjo e çliron atë nga komplekset e të shkuarës, berishizmit, 21 Janarit, korrupsionit e gjëra të tilla. Kjo është një përparësi e madhe ndaj kryetarit aktual. E dyta, Agron Shehaj vjen nga shtresa e të persekutuarve politikë dhe është mjaft i ndjeshëm ndaj krimeve të komunizmit. Agron Shehaj financon një portal që sjell në vëmendje kujtimet e të dënuarve politikë, krimet makabre të kasapëve të burgjeve dhe kampeve të përqendrimit. Portali i tij kujto.al është një kundërpërgjigje e kujtimeve të prokurorëve apo shërbëtorëve komunistë që mbushin gazetat e portalet e përditshme.  Ka ardhur koha që Partia Demokratike të udhëhiqet nga njerëz të së djathtës.

E treta, Agron Shehaj ka bërë biznes miliona eurosh në një vend evropian  me standarte të larta. Ky është një tregues mjaft domethënës për aftësitë menaxhuese të tij. Kur po kërkoja informacione në rrjet me emrin e tij gjeta një intervistë ku thoshte : ”U futa në politikë pasi dua ta përmirësoj atë. Unë kështu jam mësuar, kur nuk më pëlqen një gjë i futemdhe e bëj vetë”. E katërta është karta morale e tij. Ai është i papërlyer me histori korrupsioni apo përdorim të parasë publike. Në një debat të para ca kohëve për skandalin e Unazës së re, e pashë në vështirësi kur Drejtori i ARSH-së vuri paralele mes vjedhjeve të Unazës prej tij me 99,99% të vlerës dhe atyre të pushtetit demokratikas me po të njëjtën vlerë.

E pesta Agron Shehaj është nga Vlora, pra nga jugu i Shqipërisë. Ka ardhur koha që Partia Demokratike të depërtojë edhe në jug të vendit. Është trishtuese kur sheh ndarjen hartës së  Shqipërisë si me thikë mes Veriut dhe Jugut. Duken si dy shtete paralele dhe po shtohen ndasitë. Partia e veriorëve dhe Partia e Jugorëve. Kjo gjë duhet të marrë fund! Një Kryetar i PD-së nga Vlora do t’i shërbente një shpërndarje më kaotike të hartës elektorale. Ku ta gjenim të kishim edhe një Kryetar të PS-së nga Veriu. Boll më me bastione e istikame sikur të ishim në luftë.

Me gjasë ky shkrim nuk i shërben të djathtës sot. Për pasojë as Agronit pasi mendoj se ai dhe e djathta janë e njëjta gjë. Por unë mendoj se nuk ka gjë të keqe nga shkrimet. Asnjëherë. Le t’i themi disa të vërteta.

Po e mbyll sërish me shprehjen e Gëtes: “Idetë e guximshme janë si lëvizjet e shahistëve që mund të sjellin humbjen e lojës, por krijojnë rastin për të filluar një lojë të re, e cila mund të fitohet”!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Grabitje me armë në një argjendari në Kamëz

Një argjendari në zonën e Kamzës është bërë objekt i një grabitjeje me armë këtë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Shira dhe erë e fortë në Elbasan, izolohen 9 fshatra pas shembjes së urës

Reshjet e shiut kanë përfshirë rreth mesditës qarkun e Elbasanit, kryesisht me intensitet të ulët,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Aksident në aksin Lushnje-Berat/ Makina përfundon në kanal, asnjë person në vendngjarje

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Lushnjë-Berat, pranë fshatit Kashtbardhë. Një makinë…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

EMRAT/ Kush janë drejtuesit e Policisë së Sarandës që u arrestuan nga operacioni “AMP”

Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, është arrestuar këtë të premte në kuadër…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nga Bangkoku drejt Italisë me valixhen e mbushur me drogë, shqiptari arrestohet në “Malpensa”

Shqiptari zbarkoi në aeroportin e “Malpensës” në Milano, ndërsa zbriti nga avioni i linjës së…

LEXO ME SHUME