Ministrja e Infrastrkuturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha sot se, 1500 persona gjithsej do të shkojë numri i riatdhesimeve deri në fundjavë, në kushtet e mbylljes së kufijve për shkak të pandemisë COVID-19. Gjatë një inteviste televizive Balluku shpjegoi procesin e riatdhesimit në dinamikë zhvillmi.
“Mbi bazën e rezervimeve deri më datën 26 prill ne do të kemi 660 qytetarë të tjerë që kthehen duke e çuar kështu numrin në rreth 1500 qytetarë brenda 8 ditëve përmes 14 fluturimeve”- tha ajo. Harta e riatdhesimit po zgjerohet tha Balluku, ndërsa vuri në dukje se, “krahas Milanos, Romës, Parisi është një destinacion që i ka të gjitha vendet e ezauruara. Londra po përgatitet për fluturimin e dytë, pasi fluturimi i parë është përfunduar sot”.
“Duke iu referuar kërkesave kemi identifikuar se Madridi është një destinacion që do të kryhet gjatë javës së ardhshme dhe ndërkohë është futur Bukureshti të cilin nuk e kemi diskutuar por kërkesa ka qenë e madhe dhe ambasadori ynë atje na ka kontaktuar dhe kemi rënë dokord që do të kryhet një fluturim. Gjithashtu dhe Vjena, të cilën e deklaroj se leja është e marrë dhe janë kryer të gjitha formalitetet per të kryer fluturimin në datën 27 prill ditën e hënë”, u shpreh ministrja.
Duke iu referuar shqiptarëve të mbetur jashtë Balluku tha se, deri më tani kanë ardhur 26 qytetarë nga shtete të ndryshme të SHBA-së. “Qytetarët shqiptarë nga Kanadaja apo SHBA kanë mundësi të riatdhesohen nëse arrijnë të aksesojnë linjat në kryeqytete europiane”, tha ajo. Balluku tha se riatdhesimi i trupave të personave që kanë humbur jetën kryhet në mënyrë normale edhe nga SHBA apo vende të tjera.
“Ne po bashkëpunojmë për të riatdhesuar edhe qytetarë kosovarë që janë në vendet europiane dhe pasi arrijnë në Rinas ata shoqërohen drejt Kosovës”, u shpreh ajo. Balluku konfirmoi për kryerjen e udhëtimeve të tjera, në Romë, Londër Frankfurt dhe theksoi se asnje qytetar nuk do të mbetet pa u riatdhesuar.
Ajo shpjegoi rastin e 55 shtetasve shqiptarë që janë Arabinë Saudi për të cilët po punohet të gjendet një zgjidhje me ndonjë nga linjat. “Ndërsa 35 punonjës shqiptarë në Katar do t’i sjellim shumë shpejt dhe 75 kadetët e shpërndarë nëpër Turqi brenda fundjavës tjetër do të riatdhesohen”, tha ajo. “Malta është një destinacion që po shikojmë për t’i kryer riatdhesimet për më pak se 170 qytetarët e mbetur atje”, u shpreh ajo, ndërsa për një çift të mbetur në Tajlandë, Balluku tha se do t’i kontaktonte vetë për të gjetur një zgjidhje.