Nga Artur Zheji
Në një periudhë të tensionuar sociale, Lulëzim Basha, thirri dhe mblodhi Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, duke transmetuar nga ky forum, një mesazh të drejtëpërdrejtë: “Të bëhemi gati për zgjedhje të parakohshme!”
Kontestimet e forta dhe të ashpra, nuk munguan.
Jozefina Topalli, Astrit Patozi apo Arben Imami, u rrëfyen sërish të pamëshirshëm me Bashën, hapur dhe publikisht. Por si e komenton edhe Sali Berisha qëndrimin e tyre: “Edhe ata kanë arësyet e veta…”, që do të thotë se Partia ka dialektikën e vet dhe po vendose të jesh jashtë saj, mbetesh jashtë saj, në mënyrë po aq të pamëshirshme.
Gjithësesi, “kontestatorët” e Bashës, e bëjnë sot Partinë Demokratike, një parti më demokratike, se sa partia e madhe kundërshtare, Partia Socialiste, që nuk ka më, as edhe një zë të vetëm në opozitarizëm të brendshëm. Në këtë optikë, Partia Demokratike e sotme, prodhon më shumë lajm dhe më shumë diversitet se kundërshtarja kryesore e saj, e bunkerizuar në një disiplinë gati ushtarake.
Përtej disidencës së lartpërmendur, ky forum partiak, shënoi një konsolidim të Bashës, që tani është në kushte shumë më të favorshme, qoftë në lidhjet ndërkombëtare e Partisë Popullore Europiane, dhe mbi të gjitha me sfondin shpërthyes të konfliktit social në Shqipëri.
Skandali i Projektit të Unazës së madhe, protesta e qindra familjeve që në palcë të dimrit hidhen qenërisht në rrugë dhe protesta shpërthyese dhe e pandalshme e studentëve, janë prova ilustruese, që e bëjnë dita ditës më të besueshme, frymën denoncuese të Bashës dhe të Opozitës së bashkuar në përgjithësi.
Por edhe në rrafshin politik të brendshëm, Basha ka lidhur një bashkëpunim gjithnjë e më të frutshëm me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me Partinë Agrare e Ambientaliste dhe organizata të tjera me influencë politike, duke forcuar besimin te votuesit opozitarë, se përmbysja e kësaj qeverie, është sot, shumë më afër se sa dje.
Pra Lulëzim Basha, po jeton në këtë periudhë, një moment shumë të mirë dhe të shëndetshëm politik, duke forcuar kockën e tij politike dhe të partisë që drejton.
Makineria mediatike anti-Basha, është po aq e fuqishme edhe sot, porse volumi i politikëbërjes së tij është një vijë grafike në rritje dhe Rama, më shumë se kushdo, është i vetëdijshëm për këtë.