Categories Politike

Basha shpreh mbështetje ndaj SPAK-ut: Është e vetmja shpresë, ndaj duan ta mbysin, Çfarë tha Ahmetaj?

“SPAK është e vetmja shpresë, ndaj duan ta mbysin”. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë kësaj të premte të 2 shkurtit ku ka theksuar se jo vetëm PD e mbështet pa kushte, por sepse “kemi në krah SHBA-të dhe BE”. Teksa solli në vëmendje deklaratat e ish- zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj mbrëmjen e djeshme, tha se Prokuroria e Posaçme është shpresa e vetme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

“Kërcënimi i dytë u vjen nga SPAK-u. Po të numërosh sulmet ndaj PD rivalizojnë vetëm me SPAK-un. Mbrëmë dhe sot e kuptuam pse duan me cdo kusht ta kenë SPAK-un nën kontroll, me hir ose pahir. Sepse janë të zhytur të gjithë. Por gjithsesi është ndryshe ta dëgjosh nga goja e 2-it që tregon me gisht 1-in”. Kryedemorkati shtoi se “Perëndimi garanton meritokraci pa pasur në qafë autokratët”. “Prandaj procesi që kemi nisur është i rëndësishëm. Ne demokratët besojmë se kemi vizionin, programin dhe shumë shpejt ekipin për një shpresë më të mirë. Ky program së shpejti do t’u paraqitet shqiptarëve, për ta nxjerr Shqipërinë nga kjo gropë ku është futur”. Për Bashën, PD është e vetmja parti politike jashtë sistemit të zullumit.

“Do të qëndrojmë jashtë sistemit të zullumit, do ta mundim zullumin dhe do t’ia japim shqiptarëve shpresën që meritojnë. Është një diktaturë e një tipi të ri. Kështu e duan Shqipërinë, pa demokraci,  pa zgjedhje të lira, pa gjykata, pa prokurorë të përgjegjshëm, pa hetime për të pandëshkuar 33 vjeçar. Pa prona për pronarët, pa kompensim për të përndjekurit dhe pa kujtesë”. Sipas tij, është beteja e një pakice që e duan Shqipërinë në këtë gjendje. “Që e do Shqipërinë kështu, në kontrollin politik të një grupi politik, me një grusht njerëzish që menaxhojnë pasuritë dhe pushtetin ekonomik. Dhe me riciklimin e një grushti fytyrash që kanë dekada që okupojnë median shqiptare. Synimi është i qartë: pasuritë e këtij vendi, paratë e shqiptarëve,  fatet e këtij vendi ti kontrollojnë një pakicë absolute”.

Çfarë tha Ahmetaj?

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se beteja ndaj tij ka qenë e trefishtë: politike, mediatike dhe juridike. Ai theksoi se “nuk jam arratisur nga Shqipëria”.

“Dosja është bazuar në supozime, jo në fakte. Unë e humba besimin te SPAK. Unë jam larguar me pushime dhe refuzova të kthehem se e dija që goditja ime ishte e orientuar me zell politik. Çështja e inceneratorëve u fokusua te Fieri dhe Elbasani fillimisht”, tha ai në një intervistë të dhënë për televizionin ‘Syri’.“Në dosje të Fierit dhe Elbasanit nuk isha pasi skam marrë pjesë në procedurë, skam pasur asnjë rol”. Ahmetaj ravijëzoi se “kurrë nuk kam menduar se do ta bëja përballjen me drejtësinë në Shqipëri, në këtë formë”.“Pra që në një drejtësi të re, unë do t’i largohesha për shkak të influencimit politik të drejtësisë ‘së re’. Por për më tepër nuk e kam menduar ndonjëherë që një dosje e tillë do të krijohej me frymëzim politik dhe prandaj e nisa dhe diskutimin më parë, për të treguar se nuk ka nisur me mercenarin. Ka nisur shumë më herët goditja ndaj meje, në të tria korsitë”.

Sipas zëvendëskryeministrit, “Arben Ahmetajt po i hetohet e gjithë jeta, përveç inceneratorëve, gjithë jeta”. “Të mos qenit pjesë e procedurës nuk e kam bërë as nga halli dhe as nga qejfi, por nuk kam pasur funksion të tillë, që të përfshihesha në procedurë, nuk kam qenë autoritet kontraktor. Madje, e kam thënë. Unë në funksionet e mia zyrtare nuk kam ndonjëherë mundësi, as të jap leje ndërtimi, as të bëj prokurim. A u bën 1.1 miliardë dollarë në rindërtim, gjithë prokurimet janë bërë nga palë të treta, autoritete nënkontratore të vendosura me ligj dhe vendime qeverie. Nuk po hetohem për inceneratorët, po hetohet jeta ime”.

Ahmetaj ka pyetur SPAK se ku janë 60 milionë eurot e inceneratorit të Tiranës, se ku kanë shkuar, pasi janë pa adresë. “Nuk bëhem unë kokë turku për Ed Ramën. Nuk bëhem për askënd, jo për Ed Ramën. Unë do të mbaj kryqin që më takon në kurriz. Por nuk mbaj kryqin e askujt tjetër dhe unë nuk jam krijesë që mund të kërcënohem, as nga Robespierët, as nga kriminelët, as nga burgu, as nga jashtë burgut. Jam ndonjë trim, jo, njeri normal jam. Kam frikë, sigurisht kam frikë si çdo njeri”.

Hetimi

Hetimi ndaj ish-zëvendës kryeministrit nisi për çështjen e inceneratorëve e tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij. Nga dosja hetimore – të parë nga Albanian Post – vërehet se Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë rreth 500 mijë euro, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit të tyre.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete. Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët. Por, në dosje thuhet se me shkresën e 27 qershorit 2016 Arben Ahmetaj atëherë ministër i Financave është shprehur se janë përmbushur në tërësi kriteret e përcaktuara nga VKM në lidhje me vijimin e procedurave të koncensionit.

Kjo, në rastin e projektit koncensionar të Fierit – miratim ky i ardhur pas pengesës që po i bëhej kësaj procedure nga ana e paraardhësit të tij, ish-ministrit, Shkëlqim Cani. Po ashtu, Ahmetaj ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses.

Në vitin 2020, Zoto biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit. Në email-e zbulohet se Zoto ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e Ahmetajt. Në dosjen hetimore, janë dokumentuar disa pagesa për hotelet ku ka qëndruar Ahmetaj.

Aty shkruhet se të gjitha këto detaje janë përfituar nga kontrolli i e-mailit të Klodian Zotos, ku janë vërtetuar rezervimet që ka bërë për në emër të Arben Ahmetajt, por të gjitha janë paguar nga Klodian Zoto. Konkretisht, Ahmetaj, si edhe ish-gruaja dhe bashkëjetuesja e tij, Eriola Hoxha përfituan 9 udhëtime të paguara nga Zoto nga vitit 2013 deri në vitin 2017.

Kryesisht hotelet në të cilat kanë qëndruar janë në vendet e BE-së, Itali, Austri, Francë e Gjermani.Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit, të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit për inceneratorët.Dalja e tyre e parë së bashku, e cila është dokumentuar në dosjen e SPAK rezulton të jetë bërë më 23 nëntor 2012.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Politike

Berisha: Beleri në burg për interesat mafioze të Olsi Ramës dhe Edi Ramës në brigjet e Himarës

Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi sot se vendimi për të mbajtur në burg Belerin…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Kërkesa e Zelenskyt për prodhim municionesh për Ukrainën, Rama: Të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë thënë…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Pse ishte Alex Soros në samit? Rama nuk ia kursen gazetares: Harroi të të pyeste ty

Është zhvilluar ditën e stome në Tiranë Samiti BE- Ballkani Perëndimor. Teksa është ezauruar e…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Shtyhet seanca për Belerin, avokati: Proces i montuar për të mbajtur Himarën

Shtyhet për në 5 mars seanca për Alfred Belerin, kryebashkiakun e pabetuar të Himarës. Në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme Politike

Rama: Nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë dhe Ukrainën të humbasë luftën!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në fjalën hapëse të samitit për Ukrainën në Tiranë se…

LEXO ME SHUME