Rezultatet pozitive nën drejtimin e tij kanë bindur Bayern Munich që të konfirmojë në stol Hans Flick. Përmes një njoftimi zyrtar në faqen e tyre, kampionët e Bundesligës kanë marrë vendimin që Flick të jetë trajner i parë i skuadrës deri në fund të sezonit. Kjo ka sjellë një goditje të papritur në merkato, me mediat që kishin nisur të identifikonin njeriun ideal për të kthyer Bayern te rezultatet pozitive.
Megjithatë, kjo nuk bën që idetë të “zhduken” me Thomas Tuchel që ndodhet në “pole position” për të marrë drejtimin e tyre. Gjithsesi, gjermani do të jetë objektiv gjatë merkatos së verës. Së bashku me Tuchel, në listën e dëshirave të Bayern ndodhen edhe Mauricio Pochettino e Massimiliano Allegri, me dyshen e teknikëve që janë aktualisht pa kontratë dhe në qershor janë të hapur për oferta konkrete.
