Kandidati demokrat Joe Biden vazhdon të rrisë avantazhin përballë Presidentit republikan Donald Trump në shtetet Georgia dhe Pensilvani, ku vazhdon numërimi i votave, e kryesisht atyre që janë dërguar me postë. Biden gjendet në pozita të forta për të fituar zgjedhjet presidenciale amerikane. Sipas të dhënave, Biden kryeson në Pensilvani, Arizona, Nevada dhe në Georgia. Ndërkohë, Trump kryeson vetëm në Karolinën e Veriut.

Joe Biden komentoi rezultatin duke u shprehur se shifrat tregojnë se ai do ta fitojë garën për presidencën, por shtoi se ende nuk ka një deklaratë përfundimtare të fitores. Ai tha se shpreson të flasë para amerikanëve të shtunën dhe bëri thirrje për unitet dhe qetësi.
Biden theksoi se ai dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris tashmë ishin takuar me ekspertë, ndërsa përgatiten për Shtëpinë e Bardhë. Lidhur me humbjen e mundshme të të atit të saj ka reaguar dhe Ivanka Trump, e cila shkruan se nuk ka hequr dorë nga kjo betejë politike, duke thënë se çdo votë legale duhet të numërohet, e ato ilegale të mos numërohen. “Çdo votë legale duhet të numërohet, e çdo votë ilegale nuk duhet të numërohet. Nuk duhet të ketë diçka kontroverse”, shkruan Ivanka Trump.
