Besimtarët katolikë sot kremtojnë Krishtlindjet. Ky është një moment solemn që bashkon rreth tryezës familjen dhe miqtë më të afërt. Përpos traditave, një pikë tjetër e fortë e kësaj feste është larmia në kuzhinë.
Në paragrafët pasues do ju listojmë vendet e ndryshme të botës për tryezën e festës së Krishtlindjeve.
Gjermani: Mund të tingëllojë e çuditshme, por pjata kryesore për gjermanët janë biskotat e bëra në shtëpi, ku më kryesoret janë: “Platzchen”, të bëra me çokollatë dhe ”Lebucken”, të bëra me miell bajamesh dhe që shoqërohen me akullore.
Francë: Dreka tipike e Krishtlindjes franceze njihet me emrin “Reveillon”, por ndryshon në varësi të krahinave. Ajo përbëhet kryesisht nga ostrike, salmon, krepa, fois gras (mëlçi pate) dhe shampanjë.
Mbretëri e Bashkuar: Tradita kërkon që dreka, në fakt, të nisë që në mëngjes. Menyja përfshin gjel të pjekur, të mbushur me arra, mish dhe proshutë, shoqëruar me patate dhe mollë. Kurse për ëmbëlsirë shërbehet puding me fruta të thata dhe konjak.
Suedi: Pjata kryesore e Krishtlindjes suedeze është “Risgrynsgrot’, një puding me bazë orizi dhe kanelle. Kësaj pjate i shtohet edhe një kokërr bajameje fatsjellëse. Sipas legjendës, personi që gjen bajamen do të martohet ose shtohet në familje vitin që vjen.
Danimarkë: Pjata tipike daneze është “Risalamande”, një ëmbëlsirë e bërë me krem vanilje, bajame dhe puding orizi. Shoqërohet me shurup frutash pylli.
Spanjë: Në tavolinat e spanjollëve nuk mund të mungojë “Txistorra”, një salsiçe me origjinë baske. Ajo bëhet me të brendshmet e qengjit, mish derri i tharë, spec djegës, hudhër dhe kripë.
Rusi: Rusët janë të krishterë ortodoksë dhe e festojnë Krishtlindjen më datë 7 janar. ”Zakuscki” është mbretëresha e tryezës, një antipastë me bazë peshku, që shoqërohet me salca të ndryshme dhe vodka.
Poloni: Darka e Krishtlindjes përbëhet nga 12 pjata, nga një për secilin apostull. Tradita kërkon që të lihet gjithmonë një vend bosh në tryezë për ndonjë mik që mund të vijë në momentin e fundit. Pjatat kryesore janë ”Pierniki”, një ëmbëlsirë tipike me mjaltë dhe “Babka”, një lloj buke e ëmbël.
Etiopi: Duke qenë se në Etiopi ndiqet riti ortodoks, Krishtlindja festohet si në Rusi, më datë 7 janar. Pjata kryesore është “Doro ëat injera”, pulë e shoqëruar me erëza dhe vezë të pabëra.
Filipine: Në ishujt Filipine festa nis zyrtarisht më 16 dhjetor dhe fill pas mesnatës së Krishtlindjes është ”Noche Buena” (Nata e mirë). Darka e Krishtlindjes përbëhet nga 12 pjata kryesore, ku kryefjala është derri i pjekur në hell.
Shqiperi. Festa e Krishtlindjeve është një rast i veçantë që bën bashkë rreth tavolinës të gjithë familjen. Ndaj edhe gratë mundohen që këtë ditë ta kthejnë në magji përmes ushqimit. Ushqimi është pikërisht një nga detajet e rëndësishme të festës.
Kjo menu e ushqimeve tradicionale, tipike për ditën e Krishtlindjeve nuk ka se si të mos zërë vendin e vet, në tavolinën dhe festën tuaj.
Mëngjesi i Krishtlindjeve
Niseni ditën me një ushqim ndryshe. Ideali për këtë ditë është salmoni i tymosur që piqet në furrë. Por para se ta fusni në furrë, sigurohuni që ta keni marinuar në lëng limoni. Në tavolinë shoqërohet zakonisht me bukë italiane.
Për drekë, ushqimi i preferuar i Krishtlindjeve është rostoja e mishit, e gatuar paraprakisht dhe lënë në frigorifer. Ajo mund të shoqërohet me përbërës të tjerë si erëzat pikante dhe sallata.
Në vend të rostos mund të përdorni biftekët e tymosur.
Për ti shoqëruar këto, mund të përgatisni një sallatë speciale me perime, qepë dhe copa proshute të pjekura paraprakisht në zgarë.
Në fund të çdo gatimi, ëmbëlsira është ajo që bën diferencën. Ende nuk ka dalë nga shija budingu klasik i Krishtlindjeve që mund të përgatitet sipas metodës së zakonshme të budingut por me përbërës të ndryshëm, varësisht shijeve tuaja.
Copat e frutave në buding janë ato që i shtojnë shijen.