Detaje të reja janë zbardhur për vdekjen e 25-vjeçares britanike Ferne Josephine King, e cila u gjet pa jetë në një apartament me qira në Durrës, ku ndodhej edhe vajza e saj 2-vjeçare.
Sipas këqyrjes paraprake, në trupin e saj nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme. Dyshimet paraprake janë për një infarkt, por shkaku i vdekjes mbetet ende i papërcaktuar. Përgjigjja përfundimtare pritet nga autopsia dhe analizat toksikologjike.
E reja kishte mbërritur në Durrës tre ditë më parë për pushime me vajzën e saj. Ajo u gjet në shtrat nga pastruesja e apartamentit, e cila njoftoi menjëherë urgjencën dhe policinë.
Vogëlushja, e cila ndodhej pranë nënës së saj dhe ishte në gjendje të mirë shëndetësore, është marrë në kujdes nga shërbimet sociale dhe është dërguar në një qendër sociale në Tiranë.
Deri më tani nuk ka të dhëna për përfshirje kriminale. Autoritetet po presin rezultatet e ekspertizave mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
