Itali/ 19 vjedhje banesash, 3 shqiptarë në arrest shtëpie, dëmi 50 mijë euro
Tre shqiptarë, të moshave 48, 38 dhe 36 vjeç, janë vendosur në arrest shtëpie në Itali, të dyshuar për përfshirje në 19 vjedhje banesash në rajonin e Marche-s, nga janari deri në prill.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë kryer 16 vjedhje dhe tri tentativa në disa qytete. Dy prej tyre hynin në banesa duke thyer dritaret, ndërsa i treti i priste në automjet për t’i larguar nga vendngjarja.
Të dyshuarit u zbuluan më 14 prill, kur karabinierët ndaluan automjetin e tyre pranë pikës së pagesës së Loreto-s, në autostradën A14. Gjatë kontrollit u gjetën 2.090 euro, një unazë martese dhe një kapëse ari për para, që dyshohet se vinin nga një vjedhje.
Vlera e sendeve të vjedhura, përfshirë para dhe bizhuteri, përllogaritet në rreth 50 mijë euro, pa përfshirë dëmet materiale. Me vendim të Gjykatës së Ankonës, tre shqiptarët do të qëndrojnë në arrest shtëpie me byzylykë elektronikë.
