Një shpërthim në një rafineri në Greqi ka rezultuar fatal për një punëtor shqiptar, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Mediat greke bëjnë me dije se viktima është 43-vjeçari Robert Cakaj, i cili ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar. Ndërkohë, 50-vjeçari Dorian Hysa vijon të trajtohet në gjendje kritike, i intubuar, pasi ka pësuar lëndime të rënda në kokë.
Sipas informacioneve paraprake, të dy punëtorët ishin pjesë e një ekipi të jashtëm kontraktor dhe po kryenin punime mirëmbajtjeje në ambientet e rafinerisë kur ndodhi incidenti.
Fillimisht, dy punëtorët e plagosur rëndë u transportuan në spitalin e Korinthit. Në këtë spital mbërriti edhe një person i tretë, i cili kishte probleme shumë të lehta respiratore.
Më pas, dy të plagosurit më rëndë u dërguan në spitalin Thriasio, ku njëri prej tyre, Robert Cakaj, humbi jetën. Gjendja e kolegut të tij, Dorian Hysa, vijon të jetë kritike.
Reagon rafineria “Motor Oil”
Pas ngjarjes së rëndë ka reaguar edhe kompania, e cila shprehu ngushëllimet për humbjen e jetës së punëtorit dhe solidaritetin me familjen e tij.
“Njoftim emergjent në lidhje me incidentin që ndodhi sot në ambientet e Motor Oil në Agioi Theodoroit. Me hidhërim të thellë u njoftuam se njëri nga dy punonjësit e kompanisë bashkëpunuese kontraktuese që u plagosën rëndë në aksidentin e sotëm, vdiq pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve.
Gjendja shëndetësore e punëtorit të dytë mbetet kritike. Menaxhmenti dhe të gjithë punonjësit e kompanisë shprehin ngushëllimet tona të sinqerta dhe angazhimin tonë për të qëndruar pranë familjes së viktimës.
Autoritetet kompetente po hetojnë shkaqet e aksidentit dhe kompania po bashkëpunon plotësisht me ta”, thuhet në njoftimin e rafinerisë.
Autoritetet kompetente po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e incidentit.
