Një divorc me hije skandali, kështu e quajti në një shkrim të saj tri javë më parë “Panorama Plus”, ndarjen e njërit prej çifteve më të pëlqyer të botës së showbizit shqiptar, Nora Istrefit me Robert Berishën. Kishin 13 vite bashkë dhe adhuroheshin si çift nga fansat e tyre, të cilët janë të shumtë. Nora dhe Roberti ishin dy perfeksione fizike dhe mjaft të suksesshëm në karrierat respektive. Dukej që përtej këtyre aseteve të çmuara, ata kishin gjetur edhe formulën e një martese të lumtur, sidomos kur familja e tyre u shtua edhe me një vajzë.
Çifti madje, për t’i treguar botës se sa të lumtur ishin, bënë edhe një këngë bashkë me një klip mjaft sensual. E megjithatë, thashethemet se mes tyre gjërat nuk po shkonin ashtu siç duhet, ka rreth më shumë se një vit që kanë filluar. Njerëz pranë çiftit rrëfenin se Nora nuk ishte fare e kënaqur për marrëdhënien e ngrohtë të Lei Krajës me Robert Berishën, të dy partnerë te “Dance with me”. Edhe pse e njeh mirë botën e showbizz-it ku edhe ajo bën pjesë e ku aktrimi është pjesë e skenarit, përsëri thuhej që Nora nuk ishte aspak e qetë. Më pas filluan kontradiktat serioze, ku kryefjala ishte xhelozia.
Pas statusit shumë dashamirës të Robertit, ku njoftonte ndarjen nga Nora dhe i shprehte publikisht mirënjohjen partneres së tij për vitet që kishin kaluar bashkë dhe vajzën që sollën në jetë, disa media filluan të shkruajnë për lidhjet jashtëmartesore të secilit, që sipas tyre, e kanë çuar martesën drejt divorcit. Si fillim doli lajmi se “Nora e tradhtonte Robertin me avokatin e njohur prej një viti” dhe kjo ishte arsyeja e ndarjes së tyre. Ky u konsiderua një fakt që doli në dritë pas ndarjes së tyre, pra, në mes qëndronte tradhtia. “Prej të paktën një viti, Nora është në lidhje jashtëmartesore me njërin prej avokatëve më të njohur në Kosovë dhe kjo është arsyeja e ndarjes”, citohej në rrëfimin e një miku të ish-çiftit, të publikuar pothuaj në të gjitha portalet.
Pas këtij lajmi, mediat nxituan të gjejnë se me kë e tradhtonte Roberti Norën. Këtë javë që lamë pas, disa portale kanë shkruar se Robert Berisha ka rreth një vit i lidhur me një vajzë të re. Në fotot e publikuara nga “prive.al” dallohet se Roberti, i cili ndodhet me pushime në Turqi, është i ulur në një tavolinë dhe se pranë tij është edhe një vajzë, e cila thuhet se është e dashura e re e Robertit. Ndërsa pas daljes së fotove, gazeta “blic” ka shkruar se vajza në fjalë quhet Jessica Kadiu dhe prej vitesh jeton në New York dhe se ata kanë një vit që janë të lidhur bashkë. Edhe vetë Jessica ka publikuar foto në “InstaStoryn” e saj nga Turqia. Burime pranë “Insajder” treguan se këngëtarja ka hedhur në gjyq ish-bashkëshortin për tradhti dhe natyrisht që ekzistojnë dokumente, pasi në Gjykatë nuk mund të shkohet pa dokumentet bazë që vërtetojnë këtë akuzë.
Këngëtarja ende nuk ka reaguar ndaj aludimeve të shumta, por gazetarët, të cilët ishin në kërkim të arsyes së vërtetë, duket se kanë arritur të zbulojnë identitetin e vajzës. A është kjo vajzë arsyeja që çifti u nda? Arsyeja pritet të zbardhet në ditët në vijim, madje më mirë do të ishte nga vetë protagonistët. Nga statusi që Roberti bëri në “Instagram”, ku njoftonte ndarjen me Norën, të krijohej ideja që çifti ishte ndarë në paqe dhe e tillë do të ishte edhe në vijim, sepse kanë një fëmijë bashkë. Por me kaq shumë histori tradhtirash, pak si e vështirë të ketë paqe mes tyre.