Ëndrra e Endri Çekiçit është transferimi në një prej 5 kampionateve më të forta të kontinentit. Diçka të e tillë e ka zbuluar vetë futbollisti i kombëtares shqiptare, që në intervistën për “Rtv Ora” zgjodhi edhe lojtarin më të mirë në rruzull mes Messit dhe Ronaldos.
“Për futbollistin momentet më të vështira janë momentet kur nuk luan. Aty pastaj ti je nervoz jo vetëm në futboll por edhe jashtë fushës së futbollit. Në momente të caktuara edhe me familjen, me shokët dhe me miqtë. Por falë zotit kam pasur edhe miq të mirë që më kanë ndihmuar, edhe familja. Sot jemi prap të qetë.
“Përherë kam pasur ëndrra dhe përherë kanë qënë të mëdha. Asnjëherë nuk jam kënaqur me pak. Nuk kam ndonjë ekip ekzakt, por shpresoj që të luaj në një ndër 5 ligat kryesore. Edhe kur kam qënë në momente të vështira prap nuk jam dorëzuar, kam besuar shumë te vetja. Ishin njerëz rreth meje që thonin se nuk ishte e shkruar, por unë thoja: “S’ka gjë do të vij momenti im. Gjithmonë kam pasur shumë besim tek vetja.
“Kur isha i vogël shikoja Ronaldon te Reali i Madridit. Përpos golave e pëlqeja edhe për punën që bën dhe nuk është dorëzuar. Normalisht Messi është lojtari më i mirë në botë, por mënyra dhe rruga që ka kaluar Ronaldo besoj se është një shembull për tu ndjekur,” tha Çekiçi.
