Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, nuk ka pranuar ta konfirmojë nëse mesfushori zviceran me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, do të vazhdojë të jetë kapiten i skuadrës së “Topçinjve”, mirëpo tha se futbollisti po ndihet i shkatërruar dhe se është i vetëdijshëm që gaboi në fundjavë.
Mesfushori Granit Xhaka ngjalli debat të madh gjatë barazimit 2:2 me Crystal Palave në fundjavë, pasi që ai u fishkëllye nga tifozët e vet kur po zëvendësohej. Ai iu përgjigj tifozëve duke i vendosur duart në vesh dhe i shau ata Veprimet e Xhakës kanë bërë që shumë legjenda të klubit londinez të flasin kundër tij që nga e diela. Mirëpo, Emery, i cili mbajti takime me futbollistin të hënën, nuk ishte i gatshëm të reagojë po aq shpejt ndaj veprimeve të tij. Para përballjes të së mërkurës me Liverpoolin në kuadër të Carabao Cup, ai u pyet për të ardhmen e futbollistit dhe u përgjigj: “Nuk dua të flas për këtë gjë. Fillimisht, ai duhet të rikuperohet. Nuk mund t’i parashikojmë rrethanat”. “Do të preferoja të vazhdojmë me diçka tjetër”, përfundoi Emery.
Megjithatë, Emery u pyet sërish për Xhakën, për të cilin tha se është i mërzitur. “Nuk është e lehtë për të dhe për skuadrën. Ai tani është i shkatërruar, shumë i mërzitur. Ne folëm dje, të dielën në mbrëmje dhe prapë sot”, tha Emery.“Ai u stërvit normalisht me skuadrën, por është i shkatërruar. Është shumë i mërzitur për të gjithë këtë situatë”.
“Përkushtimi i tij ka qenë i mrekullueshëm çdo herë. Ai dëshiron të ndihmojë. Sjellja e tij ishte e përsosur në stërvitje, me grupin dhe klubin. Me të vërtetë, ai e di se bëri gabim”. “Ai e ndien këtë brenda vetes, është diçka normale si njeri. Çdo lojtarit i duhet mbështetja e tifozëve. Ne duhet të jemi të fortë, të mësojmë të luajmë edhe nën presion të madh. Kjo është puna jonë. Tifozët janë më të rëndësishmit në jetën tonë. Pa tifozë, ne s’kemi arsye për të luajtur futboll”.
“Ai po ndihet keq. Gjëja më e rëndësishme tani është të kujdesemi për të dhe për familjen e tij dhe ta kthejmë Granit Xhakën tonë më të mirë. Ai bëri gabim të dielën dhe nuk u përgjigj si kapiten”. Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë kontrollin dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht. Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.