Ministri grek Nikos Dendias ka mbërritur në Tiranë ndërsa në orën 11:45 minuta ka hyrë në Ministrinë e Jashtme Shqiptare për të vijuar axhendën me takimin me homologun Gent Cakaj. Ministri grek është pritur nga protesta e organizuar nga PDIU-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, pjesëtarë të së cilës janë përplasur dhe nga Policia e Shtetit. Në momentin që Dendias ka mbërritur dhe ka zbritur përpara ministrisë, protestuesit janë revoltuar dhe kanë nisur tentativat për të çarë kordonin policor.
Në një reagim në Facebook, lidhur me takimin e zhvilluar, Cakaj u shpreh, se me homologun grek, vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve dhe theksuan rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe. Gjithashtu në takim, u theksua mbështetja e Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh arritjet domethënëse të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Për më tepër, sikurse bëri me dije Kryediplomati Cakaj në postim, Greqia do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023. Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për të shtuar ritmin e punës së përbashkët e për të thelluar bashkëpunimin në çdo fushë të interesit të ndërsjellë mes dy vendeve.

