Bashkia e Selenicës, njësia vendore që përmbledh pesëdhjetë fshatra të pjesës lindore të rrethit të Vlorës, ka kremtuar sot në Kotë, në këtë qendër me histori të madhe lufte, Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Duket se këtë vit, si asnjëherë më parë, kjo njësi vendore ka vendosur të kremtojë ditën kombëtare të trashëgimisë, veç të tjerash, edhe si një rast për të përcjellë mesazhin se në vazhdim pushteti vendor do të ketë një vemëndje të shtuar ndaj trashëgimisë Kulturore në përgjithësi dhe asaj pjese që lidhet me resurset e zonës që ka në juridiksion kjo njësi vendore në veçanti.
Këtij qëllimi tenton ti shërbejë aktiviteti “Zeje – Avaze – Polifoni – Kulinari” organizuar në kuadër të kësaj dite nga Bashkia e Selenicës në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë. Aktiviteti i zhvilluar sot në qendër të njësisë administrative Kotë mblodhi bashkë zejtarë, këngëtarë polifonie, instrumentistë popullorë si dhe prodhues tradicionalë të zonës të cilët paraqitën produktet e tyre të gatimit ardhur si traditë nga brezat e shkuar.
Krahas mjeshtërive të punimeve në dru apo në lesh, në gur e baltë, në stendat e panairit u paraqitën edhe mjaft punime nga të rinjtë e apasionuar në punimet e instrumentave popullorë siç është cyla dyjare por edhe imitacione të ndryshme nga të rinjtë shkollarë të ZVA Selenicë e konkretisht nga shkolla e mesme “Ali Asllani”, Kotë. Me interes u përcollën punimet e të riut Odise Bajramaj, Brataj, në realizimin e cylave të gurit , zanat në gjurmët e gjyshit të tij Selman Pazoj nga Vranishti por edhe punumet e cylave dyjare në dru nga i riu Ervin Bilalaj i cili zanatin po e trashëgon nga i jati i tij Ferat Bilalaj, nga gdhëndësit më të mirë të këtij instrumenti popullor tradicional në Labëri.
Me interes u përcollën edhe produktet në punimeve të leshit si qylima, rrugica e punime të tjera të artizanes Rusie Xhaferaj nga Gumenica si kundër kostumet popullore tradicionale të zonës së Labërisë nga Musa Ferunaj. Në panair u paraqitën edhe gatimet tradicionale të zonës së Sevasterit e Kotës por edhe produkte të kantinës së pijeve “Aulona” të Shahin Zanajt nga Vezhdanishti. Në aktivitet përshëndëtën edhe Kryetari i Bashkisë së Selenicës Nertil Bellaj , deputeti i zonës, Vullnet Sinaj si dhe Drejtori i DRTK Vlorë, Orgest Feimi
Në aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Qarkutr të Vlorës, Ervis Moçka dhe të tjerë të ftuar nga njësitë vendore për rreth. Aktiviteti i moderuar plot sharm nga poetja Shqiponja Veshaj u ndërthur me një koncert të përzgjedhur me këngë e valle por edhe me avaze të instrumentave popullorë.
Të pranishmit e shumtë shijuan avaze cylash e dyjaresh nga Nazër Kongjinaj, Brat; Festim Agaraj , Kropisht e Ervin Bilalaj Bilalaj, Gumenicë si dhe polifoni nga grupi i këngës labe të Kotës . Po ashtu të pranishmit përcollën edhe vallet popullore nga nxënësit e shkollave të mesme Kotë e Vllahinë. Sot Bashkia Kotë dhe drejtuesi i saj Nertil Bellaj treguan edhe një herë fuqinë e aseteve të trashëgimisë kulturore të zonës dhe mbi të gjitha për mundësinë që kanë këto burime trashëgimie për tu kthyer ne nje fuqi zhvilluese transformuese të zonës përmes asaj që konsiderohet Turizëm Kulturor.Nga Sejmen Gjokoli