Pas shkarkimeve të ministrave të qeverisë, kryeministri Edi Rama nuk do i ndalë me kaq ndryshimet. Ashtu sikurse e paralajmëroi në Kryesinë e PS, përtëritja e qeverisë, do të pasqyrohet edhe në nivele të larta të administratës ku siç u shpreh Rama “përfshihen drejtorë të mëdhenj dhe drejtues rajonalë në qarqe”.
Mësohet se ndryshimet do të prekin drejtori të rëndësishme si drejtoria e Tatimeve, Drejtoria e Doganave, OSHEE, OST, KESH.
Të gjitha drejtoritë e përmendura më sipër do i nënshtrohen lëvizjeve dhe ndryshimeve duke nisur që nga vetë drejtorët.
Nëpër zyrat e administratës kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të drejtorëve të rinj, që do të zëvendësojnë drejtorët e larguar, megjithatë ende asgjë nuk është zyrtarizuar.
Kujtojmë se aktualisht, Vasilika Vjerro, drejton Tatimet, Belinda Ikonomi drejton Doganat, Ardian Çela OSHEE-në, Klodian Gradeci OST-në dhe Agron Hetoja, KESH-in, raporton newsbomb.al.
E gjithë vëmendja është te njerëzit që do i zëvendësojnë këta drejtorë dhe është me inters të mësojmë nëse do bëhet fjalë për njerëz të panjohur si në rastin e ministrave të rinj apo për figura që vijnë nga strukturat e PS.
