Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë u shpreh sonte në emisionin ‘Repolitix’ se edhe opozita i pranon rekomandimet e OSBE-së dhe se nuk ka asnjë mungesë dakordësie. “Ne nuk kemi vërejtje për Kodin. Rekomandimet e OSBE-së? Padiskutim me të gjitha…pa diskutim. Për rekomandimet nuk ka asnjë mungesë dakordësie” tha ai.
Për Ndokën ndërkombëtarët kanë filluar çmontimin e kryeministrit Rama. “Edhe në pjesën ndërkombëtare ka filluar çmontimi i Ramës. E para shikohet te kërkesat, qëndrimi i SHBA-së. Ne patëm sot një takim me një personalitet, analist nga SHBA që ishte i interesuar për krizën dhe idetë që ka opozita dhe janë mjaft interesante këto kontakte. Madje vizita e fundit e Ramës në SHBA në një farë mënyrë i është thënë se je shkaku kryesor për krizën.
Jo me Trumpin, se me atë nuk i bie radha përveç një foto tre sekonda. Por kam informacione se i është thënë se është shkaktar kryesor për krizën. Ne mund të miratojmë një Kod Zgjedhor shumë të mirë, por janë ndryshime teknike. Përmirësimi cilësor është thjeshtë numërimi elektronik, depolitizimi kërkohet, por nuk ka frymë mirëbesimi mes palëve. Mund të kemi një kod të mirë, por Rama i vjedh sërish” tha ai.
