Nëna e 22-vjeçarit Fatjon Kasaj ka rrëqethur me rrëfimin në “Me Zemër të Hapur” në News24.
Ngjarja e rëndë e ndodhur rreth 6 muaj më parë është e veshur me mister, ndërsa shqetësues është fakti që familja ka shumë gjëra të pa sqaruara dhe mungesë të plotë informacioni nga ana e institucioneve.
Nëna e të riut ka treguar edhe momentet e fundit të takimit me të birin.
“Mbaj mend çdo sekondë të takimit të fundit me tim bir. Ai nuk zgjohej kurrë herët por atë ditë erdhi në biznesin që kemi. Sa po na shihte na thoshte “Ku jeni o yje?”. Kërkoi t’i bëja pak mëngjes, nuk kisha frikë që do të ikte me motor pasi ai me ato sporte merrej. U nis dhe nuk arriti dot tek i ati.
Ka qenë një ditë me diell, kur po hanim bukë më tha, mami i mora rrezet e diellit sot, ishte kohë aq e bukur dhe e qetë. Nuk kishte mot të keq.
Aksidenti u pa nga një familjar i yni i cili më pas njoftoi edhe babanë e tim birit. Kushëriri ynë e njohu djalin vetëm nga tatuazhet që kishte në këmbë.
Na thanë që djali ka ndërruar jetë në vend. Nuk mbaj më mend asgjë, më ka marrë ambulanca dhe nuk di më asgjë”, tha ajo.
Një dhimbje që s’ka fjalë ta përshkruajë, një jetë që s’u jetua dot, një prindërim që mbeti pezull në ajër. Në një aksident tragjik në rrugën e Lumit të Vlorës, humbi jetën 22-vjeçari, Fatjon Kasaj, djali i vetëm i një çifti prindërish që sot nuk kanë më as dritë, as shpresë, as arsye për të shkuar përpara.
Ai ishte në fillimet e jetës. Me ëndrra të mëdha, me rrugë përpara që prisnin të përshkoheshin. Por gjithçka u pre në mes nga një aksident automobilistik. Autori i aksidentit një 81-vjeçar, u arrestua menjëherë pas ngjarjes së rëndë. Por ajo që ndodhi më pas ka ngritur dyshime të forta, zemërim dhe një ndjenjë thellësisht të padrejtë për familjen e Fatjonit të ndjerë.
Sipas denoncimeve të familjes, lajmi për vdekjen e autorit të ngjarjes fillimisht u përhap nga burime jozyrtare, duke thënë se ai kishte ndërruar jetë në burg. Më pas u tha se kishte vdekur në shtëpi. Disa ditë më vonë, qarkulloi lajmi se ishte liruar me arrest shtëpie. Por ajo që i thelloi edhe më tej plagët e familjes ishte një tjetër informacion i ardhur nga burime të tjera se autori i aksidentit ishte larguar ne Itali të një prej fëmijëve.
Vetëm ditën e shtunë lajmi u konfirmua konfidencialisht se autori Josif Kozdine kishte ndërruar jetë dhe ceremonia mortore u zhvillua të shtunën e kësaj fundjave.
Në këtë vorbull të pasqarimeve dhe mungesës së transparencës, ajo që mbetet është vuajtja e një nëne dhe e një babai që ndjehen të harruar nga drejtësia, të lënë vetëm me dhimbjen e pafundme.
Nëna Fatjonit, në emisionin “me Zemër të Hapur” në News24 të autores Evish Ahmeti, ka kërkuar drejtësi për të birin.
“Asnjë nënë mos e provoftë, është një helm që s’duhet ta provojë asnjë nënë. Fatjponi ishte një djalë i shkolluar, i dashur. Atë ditë do të ikte të takonte të atin në Lukovë.
Në orën 14:50 po e merrnim në telefon se nuk po na përgjigjej, aty pastaj mu fik çdo gjë nuk mbaj mend asgjë.
Prej gjashtë muajsh që ka ndodhur ngjarja nuk na kanë folur kurrë dhe as nuk na kanë kërkuar falje. Fëmijët e tij të paktën duhet të na kishin kërkuar falje. Ai person kemi dëgjuar që bënte shumë aksidente. Si lejohej të ngiste makinën 81-vjeç kur ishte i sëmurë!.
Një javë para ngjarjes një kushëririn tim e nxorri nga rruga pasi i zuri rrugën.
Ka qenë një person shumë problematik në këtë drejtim, siç na thonë pasi ne nuk e njohim. Si mund të marrin patenta 81-vjeçarë e të dalin në rrugë? Prokurori thotë është i sëmurë ndaj e nxorrën në arrest shtëpie. Kur ishte aq i sëmurë si i dhanë patentë dhe e lejonin të dilte në rrugë?!
Më kanë marrë zemrën, si nuk na kanë kërkuar falje as fëmijët e tij?”, shprehet ajo.
