I paralizuar dhe në moshë të thyer, Sefer Poçi dhe familja e tij në Farkë rrezikoi që nga tërmeti i së shtunës të mbetej edhe pa banesë. Por, Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër që t’i rindërtojë nga e para të gjitha banesat e dëmtuara nga lëkundjet e sizmike, me ndihmën e donatorëve.

Veliaj: Ndonjëherë, ndonjë fatkeqësi, dramë, apo traumë që ndodh, na mobilizon edhe për të bërë ca punë që ishin për t’u bërë. Në fakt, në gjeografinë e periferive të Tiranës, kryesisht janë prishur shtëpitë e njerëzve të varfër, se të gjithë flasin kullat, por në fakt nuk janë prishur shtëpitë e atyre që kanë ndërtuar ndërtesa të larta. Këtu, në Farkë, një nga shtëpitë më të vjetra të Farkës së Vjetër, por edhe më e këputura, është ajo që pësoi edhe më shumë dëme.
Menjëherë puna ka nisur me matjen e banesës së vjetër, e cila do të ringrihet nga e para, duke iu përgjigjur me punë konkrete nevojave të qytetarëve.
Veliaj: Kjo është arsyeja pse bashkë me Elisën kemi marrë një zotim: me t’u larguar ne, do vijnë inxhinierët, do bëjnë matjet, shtëpia do bëhet nga e para, me të njëjtin volum, por konstruksion i ri, që fëmijët e vegjël dhe ata që janë pak më të mëdhenj, të kenë një shtëpi të re. Besoj se është mënyra më e mirë se si përgjigjemi, jo me llafe, por me punë konkrete.

Një kontribut të rëndësishëm në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara po japin edhe kompanitë private, të cilat i janë bashkuar nismës së bashkisë për të ndihmuar komunitetin.
