Trajneri i përkohshëm i Partizanit, Renaldo Kalari ka dalë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Teutës. Një rival aspak komod për të kuqtë, që synojnë që të hedhin pas krahëve humbjen në derbi, 2-1 ndaj Tiranës. Në fjalën e tij, Kalari foli për gjendjen aktuale të skuadrës, pritshmëritë në ndeshjen me durrsakët dhe objektivin personal.
E kishe menduar ndonjëherë që do të uleshe në atë tavolinë në rolin e trajnerit? Kalari: Patjetër që e kam menduar, që kur e kam filluar futbollin, i kam kushtuar jetën këtij sporti, jam munduar që të jap gjithmonë maksimumi. Vjen një moment që duhet t’i thuash stop. Vjen një moment që për deri sa i ke kushtuar jetën si lojtar, do vazhdosh, se ka qenë profesioni jot. Unë e kam bërë me dëshirë dhe pasion.
E kam ëndërruar që të isha këtu ku jam sot, pavarësisht se në një situatë tjetër, me më shumë eksperiencë, me më shumë vite mbi shpinë, në këtë profesion të ri. Është diçka që e kisha menduar. Erdhi në një situatë ndryshe, por kam besimin e plotë të presidentit Demi dhe klubi. Ashtu si lojtar, edhe në pozicionin e trajnerit, për këto 2 ndeshje do të jap maksimumin, për të arritur ato objektiva që ka klubi. Cila është receta që keni përgatitur ndaj Teutës? Kalari: Është ajo që dihet zakonisht në futboll. Lojtarët sot, shikojnë sepse mediat sociale, televizionet bëjnë të vetën. Janë dhe pak trajnera vetë dhe ta bëjnë punën më të lehtë. Receta kryesore është që në momentin kur hyn në fushë të japim maksimumin, jo 100 %, por 1000 %. Në radhë të parë për veten, klubin, tifozët dhe objektivat. Të luajmë me zemër. Këtë duhet ta tregojmë në fushë.
Si është gjendja e skuadrës? A ka shok pas humbjes në derbi? Kalari: Fjala shok nuk ka shkuar asnjëherë te Partizani. Pavarësisht humbjes. Është diçka që ndodh. Të gjithë logjikisht nuk do ishin mërzitur nëse e humb derbin njëherë në 6 vjet. Ne kemi objektiva të tjerë, që janë venë në fillim të sezonit, duhet të arrijmë ato. Gjatë rrugës ka luhatje. Në momentin që je në një skuadër si Partizanin, edhe lojtarët janë përgatitur që të dalin nga kjo situatë. Unë jam i përgatitur, që me këta lojtarë që ka Partizani, janë nga më të mirët e kampionatit, në rolet që luajnë.
Përballja ndaj Teutës dhe ndryshimi i trajnerit te durrsakët…Kalari: Në një ndeshje futbolli, ndikojnë shumë pak këto ndryshime, aq më tepër kur ka ndryshime në staf. Lojtarët ndonjëherë janë më të përqëndruar për të dhënë maksimumin. Nuk besoj që do të ndikojë kjo pjesë dhe as që e kemi diskutuar.Si është këndvështirimi i një trajneri në krahasim me atë të futbollistit? Kalari: Kur je lojtar mendon vetëm për atë 1 orë e gjysmë 2 orë stërvitje, mbaron stërvitjen ikën për në shtëpi dhe mendon vetëm ato që ke bërë mirë apo ke bërë gabim, ndryshe nga trajneri që duhet të mendojë për 30 veta, duhet të jetë në mendjen e 30 lojtarëve, duhet t’i studiojë të gjithë dhe të jetë në mendjen e tyre, aq më tepër dhe në ndeshje. Është komplet diçka ndryshe.
