Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë një deklaratë për mediat ka hedhur poshtë edhe një herë akuzat për punësime fiktive në policinë e burgjeve, të publikuara nga Zëri i Amerikës.
Sipas Gjonajt është lehtësisht e verifikueshme, pasi duhet parë nëse ata persona që janë përmendur nga deputetët kanë fituar një vend punë apo jo.
Më tej ajo shtoi se është e qetë dhe e bindur se e vërteta është në krahun e saj, ndërsa në fund bëri dhe një ftesë Zërit të Amerikës, që të reflektojnë për këtë situatë.
PJESË NGA DEKLARATA
“Zëri i Amerikës”, nuk mori në konsideratë deklaratën time. Por mori në konsideratë qasjen e tyre shumë të gabuar. U shpreh për prova, pa marrë parasysh se ato janë indicie. Ashtu siç shpjegova dhe dje, nuk kanë të bëjnë me procesin e rekrutimit të punonjësve.
Duhet parë nëse deklaratat e deputetëve janë përkthyer në marrjen e vendeve të punës për të gjitha ata që janë pranuar, dhe kjo duhet parë në të gjithë procesin. E theksoj dhe një herë procesi ka qenë shumë i hapur dhe transparent për të gjithë qytetarët.
Jemi të hapur për këto që është i interesuar për të parë dosjen e rekrutimit të punonjësve të burgjeve.
Ne i kemi hedhur një hap të madh për të lënë pas krahëve të shkuarën nepotike në punësime. Unë jam tërësisht e qetë dhe e bindur se e vërteta është në krahun tonë dhe shpresoj që “Zëri i Amerikës” të transmetojë deklaratën tonë.
