Shënohet viktima e parë jashtë Kinës nga koronavirusi, pak më shumë se një muaj nga shfaqja dhe përhapja e virusit në qytetin Wuhan. Bëhet fjalë për një 44 vjeçar i cili ka ndërruar jetë në Filipine, duke e çuar deri tani numrin total të viktimave në 304, ndërsa mbi 14 mijë janë të infektuar.
Departamenti i Shëndetësisë në Filipine njoftoi se burri 44 vjeçar, ishte nga qyteti Wuhan i Kinës, ku është edhe epiqendra e koronavirusit. Burri po bashkëjetonte me një grua 38-vjeçare, e cila gjithashtu është diagnostikuar me koronavirus, duke qenë edhe dy rastet e vetme të konfirmuara në Filipine.
Për shkak të koronavirusit, Kina po përballet gjithnjë e më shumë me izolim për shkak se shtetet e tjera kanë marrë masa për kufizimin e lëvizjes së udhëtarëve që vijnë nga ky shtet. Me shpalljen e emergjencës shëndetësore të enjten nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe përmasat që ka marrë epidemia e koronavirusit ditët e fundit, shumë vende kanë paralajmëruar një varg kufizimesh të udhëtimit të shtetasve që vijnë nga Kina.
SHBA, ka njoftuar ndalimin e hyrjes nga të gjithë shtetasit e huaj që kanë vizituar Kinën në dy javët e fundit. Qytetarët amerikanë dhe banorët që kthehen nga provinca Hubei, ku filloi shpërthimi, do të vendosen për 14 ditë. Po ashtu, do të monitorohet për një perjudhë të ngjashme edhe gjendja e personave të cilët kthehen nga pjesët e tjera të Kinës.
Ndërkohë raste me koronavirus janë konfirmuar në shumë vende të Europës të cilat gjithashtu kanë vendosur të ndalojnë hyrjen e personave që vijnë nga Kina apo kanë vizituar Kinën javët e fundit. Edhe në Shqipëri janë marrë masa të shtuara nëpër porte, pika kufitare dhe aeroportin e Rinasit.
