-Deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea deklaroi sot se sa i përket paketës anti-shpifje ka pasur një reflektim dhe nga ana e mazhorancës për të gjithë shqetësimet.
Në një intervistë televizive Gjebrea tha se, “ligji është konsultuar me shumë shoqata të gazetarëve, përfaqësues të shoqërisë civile me përfaqësues të OSBE-së dhe Komisionit Europian. Kryeministri i ka publikuar dhe komunikimet zyrtare që ka pasur me përfaqësuesit e OSBE dhe KE për këtë ligj. Ky ligj nuk është bërë nga mazhoranca pa konsultime. Sigurisht është një ligj që ka ndjeshmëri dhe prandaj është parë me kujdes dhe janë reflektuar ndryshimet deri në momentin e fundit”.
‘Kryeministri e theksoi se çfarë përmban ky ligj, çfarë parashikojnë shtete të ndryshme të BE në kuadrin e tyre ligjor për shpifjen. Ka qasje të ndryshme, por ka dhe shumë shtete që e kanë ligjin më të ashpër sesa ajo që parashikon ky ligj aktual”, tha Gjebrea.
Ajo shtoi se, “asnjëherë nuk është thënë që ne rrezikojmë kryesimin e OSBE për shkak të këtij ligji. Unë kam qenë në Ukrainë, ditët që diskutohej ligji në komisione, kam qenë pjesë delegacionit të Asamblesë së OSBE dhe sigurisht ka pasur pyetje, por asnjëherë nuk është vënë në dyshim kryesimi i Shqipërisë. Fakti që ne kemi Presidencën është dhe më e shtuar kureshtja. Por ne kemi detyrim për të pasur transparencë dhe për të informuar publikun”
Gjebrea u shpreh se, “nëse lexohet ligji me kujdes, mirë do ishte të kemi dhe diskutime për nene të caktuara për të sqaruar me detaje se çfarë nënkupton ligji dhe pse janë vënë këto nene”.
Ky, tha Gjebrea, “është ligji miratuar në 2013 sepse bëhet fjalë për mediat audio dhe audiovizive jo për rrjetet sociale se ky është keqkuptimi. AMA nuk zëvendëson gjykatën. Është gjykata që vendos në fund. Mos harrojmë që jemi ne epokën e internetit. Ajo fuqi që të jep interneti dhe teknologjia nuk ka qenë e parashikuar në 2013 dhe ato pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe përdorimi në mënyrë të qëllimshme dhe jo të filtruar nga strukturat e veçanta elektronike është menduar që të vihet në ligj. Ne shtojmë në ligj edhe ofruesit e publikimeve elektronike. Përdorimi në shumë raste në cenim të të drejtave të njeriut e sjell të nevojshëm dhe këtë parashikim me akt ligjor. 2/3 e vendeve e kanë të rregulluar me ligj këtë gjë. Është ligj delikat, por ne nuk po bëjmë diçka që do cenojë lirinë dhe të drejtat e njeriut, përkundrazi”, tha Gjebrea.
Deputetja Gjebrea u shpreh se, “parlamenti është i pari që do të monitorojë këtë ligj. Ju si media, shoqëria civile, të gjithë do ta monitorojnë këtë ligj. Ky është një ligj i përcaktuar në shumë vende të BE. Kemi dakordësi. Janë 6 drafte nga OSBE, 2 nga BE që na kanë ndihmuar për këtë ligj dhe ligji vjen i dakordësuar”.
E pyetur për marrjen e kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria për vitin 2020, Gjebrea tha se, “Shqipëria është gati, i ka kryer të gjitha detyrimet dhe jo më kot i është dhënë kryesia e radhës e OSBE-së. Tashmë Shqipëria është zyrtarisht Presidente e OSBE. OSBE është organizatë që përfshin 57 vende anëtare dhe Shqipëria do japë ndihmesën e vetë në çështje shumë të nxehta që nga Ukraina. Kemi kapacitetet teknike, Task-forca është ngritur. Kemi një grup që po punon në Vjenë. Kemi prioritetet e shpallura dhe i kemi shumë të qarta. Do jetë vit i ngjeshur, vit ku Shqipëria do të përballojë sfidat që kanë vendet anëtare të OSBE. Kryeministri e tha shumë mirë suksesi ynë do jetë suksesi i të 57 vendeve anëtare”. /gj.mima/ /a.g/ATSH
