Categories Opinion

Ku jemi sot, ne që dje qanim për Notre Dame-n

Nga Sindi Salaj

Teatri u shemb nxitimthi dhe fshehtas, në një kohë kur “Armiku i Padukshëm” na thuhet se bën kërdinë rrugëve të Shqipërisë e ne duhet të qëndrojmë brenda mureve të shtëpisë. Masat anti-Covid nuk ishin as më pak dhe as më shumë veçse masa pro-shembjes së Teatrit dhe ja, kështu u zgjuam sot me protesta, dhunë, revoltë dhe neveri në ditë delikate pandemie.

Nuk dua të flas pse nuk duhej shembur Teatri, sepse pavarësisht se konsiderohet si një nga godinat e para në vend që u ndërtua te parimet e arkitekturës racionaliste, pas shumë kohësh ndërtimesh me bazë neoklasicizmin, sepse pavarësisht mureve me lagështirë që i rezistuan kohës dhe tërmeteve, pavarësisht rëndësisë së nostalgjisë për kontributin e dhjetëra aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve, skenaristëve, skenografëve etj., pavarësisht identitetit që i jepte Tiranës, një qyteti që sa zbukurohet aq edhe rrezikon të bëhet mishmash, Teatri nuk është më. Teatri nuk është, sepse ne nuk ishim.

Thënë e gjitha kjo për vetë faktin që një problem ka gjithnjë tri mënyra për t’u zgjidhur: lëre fare, pranoje ose ndryshoje. Ne nuk e pranuam fatin e Teatrit, përkundrazi e lamë në dorën e aktorëve, të cilët u përçanë më vonë, dhe as që morëm guximin ta parandalonim shembjen e tij. Më thoni sa prej nesh ishin dje brenda godinës së Teatrit, teksa policia përgatiste fandromën për të shqyer muret? Sa prej nesh kanë qenë përkrah aktorëve që në fillimet e protestave? Aktorët janë njerëz si të gjithë ne, kanë halle dhe probleme dhe sigurisht që do të përçaheshin, se në mos u blenë, u kërcënuan. Në mos u kërcënuan, u frikësuan. E nëse s’i kërcënoi njeri, ndryshuan mendje. Si mundëm t’u kërkonim të bëheshin me pahir heronj, për një gjë që na përket të gjithëve?

Ne, që dje qanim për katedralen Notre Dame dhe kontribuam, edhe pse me një vlerë qesharake për rindërtimin e saj, sot shembëm Teatrin pa dalë ende dielli. Por e dini çfarë është më e habitshme në të gjithë këtë: Pse na bën habi? Filozofi francez Joseph de Maistre ka ndoshta një nga shprehjet më domethënëse për pushtetin: “Çdo popull ka qeverinë që meriton”. Ne ulëritëm, shfrymë, shamë dhe shpërthyem për Teatrin, por brenda mureve të shtëpisë ose me postime Instagrami. Ne jemi të zhgënjyer deri në palcë, por jemi sërish brenda mureve të shtëpisë. Kështu që sado të na dhembë shembja e Teatrit, le ta pranojmë që është rezultat i refuzimit që kemi ndaj vendit. Sado groteske të duket, Teatri do të harrohet dhe historia do të përsëritet sepse si gjithnjë, ne refuzojmë të shohim se ç’ndodh përtej pragut tonë të derës. Askush nuk do të luajë pastër me ne, nëse ne nuk luajmë pastër me veten.

Në vend të mbylljes: Martin Niemöller-“Në fillim ata erdhën…” Në fillim ata erdhën për socialistët dhe unë heshta se nuk isha socialist. Pastaj erdhën për sindikalistët dhe unë heshta se nuk isha sindikalist. Pastaj erdhën për hebrenjtë dhe unë heshta se nuk isha hebre.  Pastaj erdhi radha ime, por s’kish mbetur më askush që të fliste për mua.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Opinion

Shoqëria “sugar daddy”!

Nga Xhensil Shkëmbi Këtë term e kisha dëgjuar, e dija çfarë ishte por deri dje…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A kemi krijuar një shoqëri shumë komplekse për të mbijetuar?

Shoqëritë njerëzore evoluan nga format e thjeshta, në ato komplekse gjatë mijëvjeçarëve, duke përjetuar ndryshime…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Mashtrimi me Sazanin – Nga Andi Bushati

Nga Andi Bushati Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

Analiza/ Pse ka ngjallur kaq shumë debat lajmi për 1 miliard USD në Sazan? Skenarët konspirativë me Trump e Soros

Pse ka ngjallur kaq debat lajmi i fundit për 1 miliard investime amerikane në Shqipëri?…

LEXO ME SHUME
Categories Opinion

A është e vërtetë që Big Brother ndiqet kaq shumë në të gjithë botën, si në Shqipëri?

Nga Ergys Mërtiri A eshte e vertete qe Big Brother ndiqet po kaq shume ne…

LEXO ME SHUME