Categories Kulture

Përkujtohet 110-vjetori i Kongresit të Manastirit

Me ceremoni solemne dhe promovim të librave, dje në Manastir u përkujtua 22 Nëntori, Dita e Alfabetit shqip dhe 110-vjetori i Kongresit të Manastirit.

Në Muzeun e Alfabetit, në prani të ministrave, deputetëve dhe përfaqësuesve të Bashkësisë Akademike, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se Kongresi i Manastirit është ngjarje historike dhe me rëndësi të madhe.

“Sot shënohet një ngjarje shumë e rëndësishme, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, njëherësh edhe shënimi i 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pas thënies së Naim Frashërit se ‘dielli lind nga perëndon’ motoja e Rilindjes Kombëtare me përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe, njëherësh bëri përcaktimin gjeostrategjik për të ardhmen politike të shqiptarëve”, deklaroi Ahmeti.

Këtë vit, përkujtimi i Ditës së Alfabetit u bë nën moton: “Dielli për ne lind në Perëndim”.

Edhe Universiteti i Tetovës përkujtoi 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit.

Dekani i Fakultetit Filologjik, prof. dr. Izmit Durmishi, në fjalën e tij tha se pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresi i Manastirit, është kuvendi që mblodhi atdhedashës nga vise të ndryshme shqiptare duke dhënë sinjalin e parë drejt pavarësisë kombëtare të popullit shqiptar.

“Historia e alfabetit të gjuhës shqipe është mjaft e vjetër dhe e ndërlikuar, kur dihet që gjuha jonë, që nga dokumentet e para të saj që njohim e deri në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 është shkruar në disa alfabete. Kjo mënyrë e të shkruarit të shqipes, e vështirësonte shumë përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare, prandaj njësimi i alfabetit ishte ndër detyrat e shenjta që morën përsipër ta realizojnë ideologët e rilindjes kombëtare shqiptare. Arritja e një marrëveshjeje për një alfabet të vetëm e të përbashkët për të gjithë shqiptarët, veprimtarëve shqiptarë ua ofronte mundësinë që ta ruanin dhe ta afirmonin më lehtë identitetin kombëtar, prandaj Kongresi i Manastirit u quajt edhe Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe”, theksoi prof. dr. Izmit Durmishi.

Historiani, prof. dr. Zeqirija Idrizi, tha se mundi dhe sakrifica që dhanë veprimtarët e gjuhës shqipe, për të ardhmen e kombit dhe gjuhës, asnjëherë nuk duhet harruar, sepse po nga këto germa janë shkruar shumë akte historike tejet të rëndësishme për popullin shqiptar.

“Nuk mjafton përkujtimi i kësaj feste dhe festimi i saj në mënyrë simbolike duke shprehur urata të ndryshme, por duhet shfrytëzuar në maksimum ato shkronja të shenjta, të cilat i përshtatën për ne të parët tanë, që ne të kemi bazën e shëndoshë për shkrime, studime, zbulime në lëmenj të ndryshëm dhe të praktikojmë shembullin e tyre se të bashkuar mund të arrijmë çdo gjë. Prandaj, ne duhet që këtij mundi t’ia japim hakun, ngase kushedi, një ditë ndoshta do të japim llogari për mosshfrytëzimin efikas të këtij burimi të pashtershëm – Alfabetit Shqip. Sepse, me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, me këtë alfabet u shkrua akti për themelimin e Universitetit te Tetovës, po me këtë alfabet u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh mes tjerash prof. dr. Zeqirija Idrizi.

Rektori i Universitetit të Tetovës (UT) Vullnet Ameti me rastin e 22 nëntorit, Ditët së Alfabetit shqip uroi të gjithë bashkëkombësit lidhur me këtë festë historike.

“Kongresi i Manastirit është padyshim njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore e shekullit të kaluar për mbarë popullin shqiptar, të cilit i janë referuar dhe i referohen vazhdimisht historianë, gjuhëtarë, etnologë, intelektualë shqiptarë dhe të huaj, duke synuar të hedhin dritë mbi rrethanat komplekse historike, politike dhe kulturore të periudhës së kaluar dhe të sjellin sa më shumë fakte për këtë ngjarje kaq të rëndësishme për mbarë popullin shqiptar”, deklaroi ai.

”Rruga, e cila çoi deri në mbajtjen e Kongresit të Manastirit nga data 14-22 Nëntor 1908, ishte e mundimshme dhe përplot vështirësi. Kongresi i Manastirit ishte një kuvend mbarëkombëtar, i cili në gjirin e vet tuboi figurat më eminente të Rilindjes tonë kombëtare si: Mithat Frashërin, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Gjergj Qiriazin, Nikollë Kaçorrin, Shahin Kolonjën, Fehim Zavalanin, Mati Logorecin, Ndre Mjedën, dhe shumë të tjerë, të cilët dhanë gjithçka për unifikimin e gjuhës shqipe dhe avancimin e çështjes kombëtare. Ne, sot, përulemi me nderimin më të madh për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje kaq të madhe historike dhe me dinjitet e nderojmë ditën e Alfabetit shqip në përvjetorin e tij të 110 me radhë”, theksoi Ameti.

Po kështu, violinisti i njohur shqiptar, Shkëlzen Doli dha një koncert i shoqëruar nga Filarmonia e Maqedonisë, nën dirigjimin e Mihael Macijashçik nga Polonia, si ngjarje qendrore në kuadër të shënimit dyditor të jubileut – 110 Vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe unifikimit të Alfabetit Shqip./ATSH

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kulture

Përkujtohet Kuvendi i Besës në Senicë

Në fshatin Senicë, të njohur si “ballkon” i krahinës së Rrëzomës, 254 vite më parë…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Këngëtari grek u kërkon falje shqiptarëve: Faleminderit shumë! Disa herë Greqia ju ka lënduar

Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më të mirë të vitit

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” Fier, pēr të tretin vit radhazi nderon me çmime lexuesit më…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Kadare nominohet për “The Booker 2024”

Në 2005 ishte fituesi i parë i këtij çmimi Shkrimtari i mirënjohur Isamil Kadare, nominohet…

LEXO ME SHUME
Categories Kulture

Punuan veprat kryesore të Muzeut Kombëtar në Krujë, 5 artistë nderohen me titullin “Qytetar Nderi”

Pesë artistë të mirënjohur të arteve figurative në vend u nderuan me titullin “Qytetar Nderi…

LEXO ME SHUME